Ishte i shpallur në kërkim për drogë, pronari i mobilerisë shiste hashashin në Spitallë të Durrësit

Një hetim i nisur nga Prokuroria e Durrësit për gjurmimin e një skemë të trafikimit të armëve, ka sjellë në fakt zbulimin e një plani të shitjes së drogës në qytetin e Durrësit.

Në tentativë për të zbuluar armatimin, policia zbuloi bazën e një rrjeti të tregtimit të drogës, duke çuar në arrestimin e 4 personave.

“Ora News”, mëson se ditën e djeshme gjykata e Durrësit, ka caktuar masën e arrestit në burg për të arrestuarin Hismet Toro, Beart Ismailaj, Admir Dedja dhe Misim Koldashi.

Ky i fundit rezultonte në kërkim për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, pasi ndaj tij një prokurori tjetër kishte marrë masën e “arrestit në burg”.

Por kjo nuk e ka penguar Koldashin të mos vijojë nga arratia tregtinë e drogës. Tashmë Koldashit, i bëhen dy masa sigurimi “arrest në burg”, dhe se sipas prokurorisë së Durrësit, ku personazh nga Kukësi ishte njeriu që kishte sasinë e drogës të cilën kishin rënë ta shisnin kundrejt një çmimi prej 38 mijë euro.

Vendi i shkëmbimit të drogës me shumën e eurove, ishte zgjedhur të kryhej në ambientet e një servisi në emër të Admir Dedja.

Por të gjitha veprimet dhe bisedat e këtyre personave kanë qenë në mbikëqyrje nga policia,e cila mësohet se kishte futur brenda këtij grupi dhe një agjent të infiltruar.

Në dosjen hetimore të siguruar nga “Ora News” thuhet se: “...personat e mësipërm kanë biseduar për lëndën narkotike dhe sasisë që do të blihej, ku bëhej fjalë për një sasi që varionte nga 20 kg deri në 30 kg për një shumë prej 38.000 euro në total, por takimi i datës 28 shtator 2021 ka mbetur aty pasi shtetasi Hismet Toro, është frikësuar nga prania e policisë në rrugë, e për këtë shkak i ka thënë burimit të largohej e se do të linin takim në një moment tjetër...”.

Pas dështimit të këtij takimi, vend-takimet e mëtejshme kanë vijuar pikërisht një ditë më vonë, pranë Gjykatës së Apelit Durrës, zonë ku kishte shtëpinë Admir Dedja dhe që nuk binte shumë në sy nga policia.

Në dëshminë e tij pronari i servisit u ka thënë policëve se nuk ka lidhje direkte me prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike.“...unë jam i punësuar në një servis të cilin e kemi biznes familjar dhe aty punoj së bashku me babain tim Ilirin prej shumë vitesh.

Përpara rreth një jave ka ardhur dhe më ka takuar tek servisi Agim Koldashi të cilit shkurt i themi Gimi, ku ky është djali i Misim Koldashit. Unë me Gimin njihemi pasi ne servisin e kemi në Spitallë dhe duke qenë se ai ka biznes mobileri, makinat e punës i sillte tek servisi im. Kur më takoi Gimi, më pyeti dhe më tha nëse njihja ndonjë person i cili është i interesuar për të blerë hashash, e unë ju përgjigja që nuk e kam idenë pasi nuk merrem me këto punë, por nëse më vjen ndonjë gjë në vesh do të njoftoj.

Ditën e djeshme rreth drekës, kam qenë në Shkozet tek një bojaxhi që quhet Ardit e unë tek ai çoj shpesh makinat për lyerje. Ngjitur me këtë bojaxhi është një lavazh ku punon Bearti të cilit i thërrasim me nofkën “Çerri” se është trup vogël. Unë lashë makinën tek bojaxhiu dhe po prisja në këmbë babain tim të vinte të më merrte e pranë meje teksa prisja erdhi “Çerri” dhe më tha që njihte njërin që don shumë hashash dhe kërkonte shitës.

Prej asaj që më tha “Çerri”, mu kujtuan fjalët që më kishte thënë Gim Koldashi me qëllim gjetjen e ndonjë personi për të blerë hashash nëse do më vinte diçka në vesh e unë i thashë “Çerrit” që njoh dikë në Spitallë që më patë thënë se kishte hashash për të shitur e se do e pyesja nëse kishte akoma për të shitur...”.

Sapo kanë shkuar për të parë lëndën narkotike dhe përgatitur që të shkëmbenin eurot dhe drogën në ambientet e servisit, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar 4 personat për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”./OraNews/