Aksi Berat-Skrapar pëson çarje e rrëshqitje, banorët: Pothuaj jashtë përdorimit

Rruga nacionale Berat-Skrapar është dëmtuar nga gropa, çarjet në asfalt dhe shembjet në disa segmente.

Mungesa e mirëmbajtjes po sjell degradimin e saj të plotë edhe pse është i vetmi aks që lidh Beratin me Skraparin.

Më problematike rruga paraqitet në fshatrat: Vërtop, Mbrakull, Pronovik, Bogovë dhe Uji i zi ku aksi është edhe burim aksidentesh.

Banorë dhe drejtues mjetesh shprehen të shqetësuar për këtë situatë.

"Rruga Berat-Skrapar është në gjendje shumë të keqe. Iëkrkojëm qeverisë ta shikojë rrugën nacionale Berat-Skrapar se është jashtë përdorimit, është e shkatërruar plotësisht," thotë banori.

Ata thonë se cilësia e dobët e asfaltit e ka sjellë rrugën në këtë situatë.

"Ka mbi 5 vjet. Rrugët janë gropa-gropa, nuk është hedhur cilësia e duhur e asfaltit prandaj është gropa-gropa," thotë qytetari.

"Asfaltimi nuk është i rregullt, është bërë me copa-copa."

Një vit më parë, bashkia Poliçan ndërhyri në disa segmente për mbylljen e gropave por sërish ajo pësoi çarje e rrëshqitje duke i kthyer paratë e hedhura në dëm ekonomik.