Aksidentet brenda tunelit te ish-Shqiponja, eksperti: Shoferë kini kujdes, ka nevojë për ndërhyrje
Hapja e tuneleve tek "Unaza e Madhe" lehtësoi trafikun, por rriti më shumë rrezikun për aksidente rrugore.
Kjo për vetë faktin se që prej hapjes së saj janë të paktën 5 raste kur drejtuesit kanë humbur kontrollin dhe makina është përmbysur në rrugë.
Në lidhje më këtë çështje eksperti i sigurisë rrugore Artur Sulçe tregon se çfarë ndodh me automjetin kur lëviz në këto tunele.
"Këto tunele kanë një rreze të përcaktuar. Në funksion të rrezes të përcaktuar që ka tuneli llogaritet shpejtësia e lejuar në mënyrë që mos dalësh nga kthesa. Kjo quhet shpejtësi kritike. Për të rritur këtë shpejtësi të futjes në kthesë ka dhe një mbingritje tërthore që quhet në gjuhën tonë teknike, e cila bën që të bjerë qendra e rëndesës së mjetit," tha Sulçe.
Në lidhje me përmirësimin e masave Artur Sulçe sugjeron që të ngrihen disa tabela orientuese në mënyrë që edhe shoferët e automjeteve të jenë më të sigurt gjatë lëvizjes.
"Në këtë këndvështrim dhe tabelat të cilat duhen vendosur para se makina të hyjë në tunel duhet të jenë të tilla që të zvogëlohen në mënyrë fragmentare, jo të menjëhershme," tha Sulçe.
Punimet në "Unazën e Madhe" vijojnë prej më shumë se 2 vitesh. Përveç problemeve që drejtuesit e mjeteve hasin më sinjalistikë tashmë duhet të përballen edhe me devijimin e rrugës.
Situata bëhet akoma edhe më serioze në një kohë ku prej kësaj të hëne në të gjithë vendin janë hapur shkollat, e cila përllogaritet me lëvizje më të shtuar në këto akse./OraNews/
