Padia e LSI në Kushtuese për pushtetin lokal, Braimllari: Ndryshimet i kthejnë bashkitë në prona private
Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të shfuqizuar ndryshimet e bëra në ligjin për vetëqeverisjen vendore, duke i cilësuar si anti-kushtetuese.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari me anë të një deklarate për medien u shpreh se mazhoranca në funksion të rrëmbimit të pronës publike, i hoqi fuqinë e votës së cilësuar Këshillave Bashkiakë për çështje të rëndësishme të interesit publik, duke e zëvendësuar atë me votim të thjeshtë.
"Mazhoranca në funksion të rrëmbimit të pronës publike, i hoqi fuqinë e votës së cilësuar Këshillave Bashkiakë për çështje të rëndësishme të interesit publik, duke e zëvendësuar atë me votim të thjeshtë.
Ju kujtojmë, që ky ligj u miratua po nga rilindja për t’i dhënë fuqinë e votës së cilësuar Këshillave Bashkiakë, si garanci për të shmangur abuzimet, për të përmirësuar vendimmarrjen si një mënyrë kontrolli dhe transparence për çështje me interes të madh publik duhej marrë vota e cilësuar, si një votë e cila përfaqëson vullnetin e pjesës më të madhe të qytetarëve.
Ky ndryshim rrit abuzimin e kryetarëve të bashkive duke i kthyer bashkitë në prona private, si në rastin e teatrit kombëtar por dhe prona të tjera në të gjitha bashkitë e vendit të cilat po i jepen klientëve të qeverisë," tha Braimllari.
Sekretari i Përgjithshëm shtoi se LSI do të vazhdojë aksionin në mbrojtje të interesit publik. Braimllari paralajmëroi se kjo nuk do të jetë çështja e vetme që LSI do të çojë në Gjykatën Kushtetuese.
"Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë aksionin e saj të drejtëpërdrejtë në mbrojtje të interesit publik. Iniciativa të tilla, të ligjeve anti-kushtetuese të kaluara nga një qeveri dhe parlament monist do të jenë pjesë e aksionit tonë opozitar.
Kjo nuk do të jetë çështja e vetme që LSI do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ne besojmë, se Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor interesit publik dhe të qytetarëve," shtoi ai. /OraNews/
