“Po na shembin pallatin pa ekspertizë”/ Mes lotësh 13 familje kërkojnë drejtësi për godinën

Rreth 13 familje denoncojnë vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës për të shembur godinën ku banojnë në zonën pranë zogut të zi. Ata thonë se objekti nuk ka asnjë dëmtim ndërkohë që nuk i është bërë asnjë ekspertizë për të faktuar dëmtimet nga tërmeti. Sipas qytetarëve pas planit për shembjen e objektit fshihet synimi për ndërtimin e një pallati 9 katësh nga kompani private.

Ky njoftim i vënë në hyrje të godinës së banimit nga persona të paidentifikuar ka shqetësuar dhe ka ngritur në protestë, 13 familje të pallatit nr,3 në rrugën “Viktor Hygo” në Tiranë. Banorët thonë se në mungesë transparence këshilli bashkiak i Tiranës ka marrë vendimin për shembjen e objektit.

Mbështetur në akt ekspertizën e thelluar dhe konkluzionin e oponencës teknike të Institutit të ndërtimit këshilli bashkiak në datë 2 gusht 2021 miratoi prishjen e godinës si rezultat I dëmtimit nga tërmetet e Nëntorit 2019. Por banorët e mohojnë kategorikisht kryerjen e kësaj ekspertize duke mohuar që godina të ketë ndonjë dëm sado të vogël.

“Asnjë në familjet tona nuk ka trokitur. Nuk kemi parë asnjë ekspertizë. S’na kanë pyetur a ka dëme a ka krisje. Te shtëpia ime nuk ka asnjë krisje, më i fortë se ky pallat s’besoj se ka pallate të tjera.”

Pronarët e apartamenteve aty hedhin dyshime se bëhet fjalë për zëvendësimin e këtij pallati 2 katësh me ndërtesë 9 katëshe për interesa private. Na i shembin për interesa të veta.

“Kemi një informacion se këtu do të bëhen pallate 9 katëshe dhe duan ta marrin për vete."

Problematikën ia kanë adresuar si minibashkisë ashtu edhe Bashkisë Tiranë, por askush nuk u jep sqarimet e nevojshme.

“Lëre që nuk kanë shpjeguar por  nuk na dilte të na kontaktonte këtë njoftim dhe na është thënë se nuk kemi asnjë lloj informacioni.”

Disa mes lotësh e të tjerë të acaruar thonë se do të bëjnë rezistencë deri në fund për të mbrojtur pronën e tyre.

‘Jam e vetme. Nuk ka shansb ta shemb njeri këtë pallat."/OraNews/