Rritja e çmimit të karburanteve, Konfindustria kërkesë qeverisë: Merrni sa më shpejt masa
Rritja e çmimit të karburanteve ka vënë në lëvizje Konfindustrinë e cila i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kuvendit për ndërhyrje ligjore.
Në një njoftim për mediet, Konfindustria shpreh shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve dhe pasojave të tyre tek qytetarët dhe ekonomia kombëtare.
Sipas analizës çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë pësuar rritje gjatë sezonit veror dhe në vazhdim. Në muajin që lamë pas janë rritur në vlera që shkojnë mbi 60% per gazin e lëngshëm dhe më shumë se 10% pçr naftën dhe benzinën.
Konfindustria thotë se çmimet e karburanteve në Shqipëri janë ndër më të lartat në gjithë Europën, përfshi edhe vendet shumë më të pasura të kontinentit.
Ky organizëm i kërkon qeverisë dhe opozitës të marrin masat e nevojshme për të zbutur pasojat e rritjes së çmimit të karburanteve pasi sipas administratorit të përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, kjo situatë rrezikon të marrë përmasat e një krize të vërtetë energjitike me pasoja të pallogaritshme negative për vendin.
Në reagimin zyrtar, Konfindustria njofton se ka përgatitur propozimet e saj lidhur me ndërhyrjet që duhen bërë në tregun e karburanteve dhe se do t’i paraqesë ato në Kuvendin e Shqipërisë.
Konfederata e Industrive vlerëson se biznesi, qytetarët dhe buxheti i shtetit shqiptar, përveç rritjes së fortë të çmimit përballen më kosto shtesë si pasojë e cilësisë së dobët të karburanteve, evazionit fiskal dhe kostove të pranisë së koncesioneve dhe PPP në sistem./OraNews/
