Dramë për ish presidentin e klubit të Serisë A. Djali i tij gjendet i pajetë në Londër

Një tragjedi e madhe ka goditur Maurizio Zamparinin. Ish presidenti emblematik i Palermos ka marrë një lajm të rëndë ku djali i tij më i ri është gjendur i pajetë në Londër.

Maurizio Zamparini, ish numri 1 i Palermos që e mbajti klubin siçilian për shumë vite në elitën e futbollit italian ka udhëtuar menjëherë me bashkëshorten në kryeqytetin anglez pasi mori lajmin se djali i tij 23-vjeçar, Armando është gjendur i vdekur në apartamentin ku jetonte.

Sipas policisë britanike, ka ende paqartësi dhe pikëpyetje për shkaqet e vdekjes së të riut italian i cili jetonte në atë apartament pas diplomimit pikërisht në Londër.

Armando ishte djali më i vogël nga 5 fëmijë që kishte biznesmeni nga Friuli i cili pjesën më të madhe të kohës ia kishte kushtuar futbollit dhe Palermos, skuadër me të cilën bëri mirë për shumë vite e në fund në 2018 i shiti aksionet në një kompani angleze./Ora News/.