Daja: Derbi me Dinamon i paparashikueshëm, është ndeshje për t’u fituar

Pas 12 vjetësh, kryeqyteti do të shijojë sërish derbin Partizani-Dinamo. Të premten në “Elbasan Arena”, në orën 19:45 do të rikthehet derbi mes dy ekipeve emblemë të kryeqytetit dhe për Ilir Dajën është pozitive që Dinamo është rikthyer mes më të mirëve por për të kjo ndeshje duhet të sjellë fitoren tek të “kuqtë”.

“Derbet janë gjithmonë të paparashikueshme ku nuk mund të bësh parashikime. Është një ndeshje për t’u fituar për ne me gjithë respektin për Dinamon. Ata janë një skuadër e riformatuar dhe ka lojtarë të mirë. Ne duhet të minimizojmë gabimet që kemi bërë deri tani edhe pse mendoj se paraqitjet tona ishin të mira. Dinamo e ka nisur mirë kampionatin por edhe unë jam i kënaqur me atë që kemi bërë deri tani në fushën e lojës pavarësisht se në këto 3 javë kemi gabuar por janë faje individuale që ndodhin në lojë”.

Trajneri Daja e pranoi se pas tre javëve skuadra ka presion për rezultate teksa nuk shprehu asnjë shqetësim për rezultatet e deritanishme.

 

“Jemi në presionin e marrjes së rezultatit dhe pa këto gabime individuale që kemi bërë do të kishim 3-4 pikë më shumë dhe do të ishim në krye të renditjes. Formacioni ? Nuk mund të them se kush luan në derbi sepse kemi edhe një seancë stërvitore. Të gjithë e dijnë se ku do luajnë dhe çfarë duhet të bëjnë. Në marrëveshjet me klubin të gjithë ne e dijmë që luajmë për objektiva maksimalë. Mendoj se duhet të përshtatemi me disa skema por nuk është skema që sjell rezultatin por manovra dhe duhet të kemi një manovër të automatizuar për ndeshjet që kemi. Titulli? Rivaliteti këtë vit është më i madh në Superiore pasi Egnatia dhe Dinamo që kanë ardhur këtë vit kanë investuar shumë dhe them se do të jetë si vitin e kaluar ku 6-7 skuadra do të jenë aty aty në renditje. Ne jemi 3 pikë larg pjesës së sipërme në tabelë por me një humbje apo me një fitore mund të ngjitesh lart”.

Ndërkohë edhe kapiteni Alban Hoxha foli në konferencën për shtyp në prag të derbit ku shprehu admirimin për rikthimin e Dinamos por tha se ekipi do të luajë për 3 pikë.

“Më vjen mirë që Dinamo është rikthyer në Superiore. Ekipet elitare duhet të jenë në këto nivele. Është ndjesi e bukur që rikthehet derbi me Dinamon. e kemi përgatitur ndeshjen dhe shpresojmë te fitorja. Mendoj se në të trija ndeshjet kemi bërë lojë shumë të mirë por gabimet individuale na kanë penalizuar. Duhet të jemi të kujdesshëm në fazën mbrojtëse. loja do të jetë e njëjtë me atë që kemi bërë deri tani dhe mendoj se kemi lojtarë cilësorë e gjithashtu kemi mundësi për të fituar titullin por duhet mund dhe sakrificë nga të gjithë”, perfundoi kapiteni Hoxha./Ora News/.