Shikoni golin e Uzunit ndaj Betis por Ferencvaros humbet. Fitore për Lazio e Leverkusen

Myrto Uzuni shënon sërish. Pas golit në derbi në kampionatin hungarez, sulmuesi shqiptar lë gjurmë edhe në Europa League ndaj Real Betis ku shënoi golin e barazimit momental por që në fund Ferencvarosi u mund 3-1 nga spanjollët.

Kjo është humbja e dytë për Ferencvaros në një grup të fortë ku janë edhe Celtic me Leverkusen të cilët u ndeshën në Skoci dhe ku fituan “aspirinat” me rezultatin e pastër 4-0.

Ndërkohë që Lazio e shqiptarëve nuk e diskutoi fitoren ndaj Lokomotivës së Moskës 2-0 në “Olimpico” ku Strakoshës iu dha sërish besim në Europa League pas gafës me Galatasarayn. Gjithashtu Hysaj dhe Muriqi luajtën duke u treguar të vlefshëm për Sarrin në suksesin e parë në Europë.

Në ndeshjen tjetër të këtij Grupi, pati probleme nga trazirat e shkaktuara mes tifozerive në duelin Marseille-Galatasaray dhe ndeshja u ndërpre disa minuta në pjesën e parë. Takimi gjithsesi përfundoi pa gola./Ora News/.