Shkëmbi: E ardhmja e Dinamos do të jetë shumë e mirë. Derbin e doja në Tiranë

Për Dinamon e rikthyer në Superiore do të jetë hera e parë e derbit në Abissnet Superiore këtë sezon dhe po ta mendosh do të jenë disa sfida të kryeqytetasve si ndaj Tiranës edhe ndaj Partizanit.

Ndaj të kuqve nesër 18-herë kampionët e Shqipërisë do të luajnë në “Elbasan Arena” dhe për Bledi Shkëmbin skuadra do të luajë pa presion dhe pengu i vetëm i tij është fakti që nuk luhet në kryeqytet.

“Më vjen mirë për derbin që rikthehet pas kaq vitesh. Lojtarët e ndjejnë këtë duel dhe jemi munduar që ekipi të qetësohet, të mos kemi presion, sikurse jemi munduar t’ua shprehim të huajve rëndësinë e derbit. Të tjerët e ndjejnë, pasi e njohin derbin. Është një ndeshje e veçantë deri në këto momente dhe do të kisha dashur më mirë të luhej në Tiranë, por edhe Elbasani ka fushë ku mund të shprehesh mirë në aspektin teknik. Sigurisht që ka keqardhje për tifozët por jemi të kënaqur që po na ndjekin. Ata do kthehen sërish dhe do të jenë më shumë nëse rezultatet tona më tej janë pozitive”.

Shkëmbi e di që pritet shumë nga Dinamo por tha se ekipi është ribërë por më e rëndësishmja për të është e ardhmja e sigurtë dhe shumë e mirë e klubit.

“Dinamo është ribërë dhe kemi guxuar duke luajtur për të fituar. Kemi marrë dy barazime, por mund të merrnim diçka më shumë. Do mundohemi të fitojmë, pa harruar se luajmë ndaj një ekipi të fortë si Partizani. Janë dy ekipe të denja për ta fituar ndeshjen. Për Dinamon do jetë çdo ndeshje barometër, deri kur të vijë ajo që duam. Jemi në rrugë të mbarë dhe jam i bindur që e ardhmja e Dinamos do të jetë shumë më e mirë”.

Në fund trajneri i dinamovitëve foli për formacionin dhe për rivalët për titull në Abissnet Superiore.

“Për formacionin do të shikojmë stërvitjen për të vendosur. Kemi dy lojtarë me probleme fizike dhe më pas do të vendosim si do të rreshtohemi. Rivalët? Nuk ka një ekip që bën diferencën. Do jetë kampionati i vetëm që javë pas jave nuk do mundësh të marrësh frymë lehtësisht, pasi do jetë e vështirë çdo ndeshje”, përfundoi trajneri Bledi Shkëmbi./Ora News/.