Ekskluzive/ Balliu në ballë të listës, mbrojtësi risia e Rejës

Ivan Balliu rikthehet në kombëtare pas dy vite e gjysmë. Mbrojtësi i krahut do të jetë në dispozicon të stafit teknik për kualifikuesen me Hungarinë që do të luhet në transfertë në 9 nëntor dhe takimin me Poloninë që do të zhvillohet tre ditë më vonë në Air Albania. 

Trajneri Edi Reja e ftoi 29-vjeçarin edhe për ndeshjet e shtatorit, por ai i komunikoi se nuk ishte mirë fizikisht, duke e sqaruar se kishte probleme me pubalgjinë.

Gjithësesi Balliu ka hedhur pas krahëve problemet fizike dhe ka shfaqur një formë të mirë në ndeshjet e fundit. 

Burime për Ora News bëjnë me dije se mbrojtësi, i cili aktivizohet në sallonet e mëdha të futbollit spanjoll, ka marrë ftesën e teknikut italian dhe ka konfirmuar prezencën.

29-vjeçari është risia e Rejës për dy kualifikueset e radhës.

Në këtë sezon Balliu është aktivizuar në 7 ndeshje me Rayo Vallecano në La Liga, duke dhënë edhe një asist në fitoren 3-1 ndaj Kadiz.

Balliu do të stërvitet për herë të parë nën urdhrat e trajnerit Reja, teksa ndeshja e tij e fundit më Shqipërinë është në 22 mars të 2019 , kundër Turqisë, takim të cilin kuqezinjtë u mposhtën 0-2 në Shkodër. Në atë kohë në pankinë ishte Kristian Panuci.