PD kundër mbledhjeve online, Bylykbashi: Bojkoti s'mund të jetë vendim i Ramës, do jemi fizikisht në komisione
Opozita mbetet e vendosur për të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare dhe jo online.
Qëndrimi u konfirmua nga anëtarët e komisionit të Ligjeve pas debatit që patën me kryetaren e komisionit Bushka në mbledhje.
Oerd Bylykbashi në një prononcim për median u shpreh se PD refuzon mbledhjet online dhe se opozitës iu mohua e drejta e fjalës në komisione.
Bylykbashi: Është qartazi mënyrë për të hequr totalisht transparencën që u duhet qytetarëve shqiptarë për të kuptuar kush janë aferat korruptive që Edi Rama i kthen në ligj. Jemi këtu që kjo mos të lejohet. Do garantojmë transparencën mbi çdo shkelje që sjell Edi Rama për ti vënë vulën nga ky parlament ilegjitim. Nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që nëpërmjet këtyre mjeteve nën gjoja pretendimin që për arsyet e pandemisë nuk duhet të zhvillohen mbledhjet fizikisht, ne do ta refuzojmë, do të jemi këtu për të përfaqësuar shqiptarët dhe për të ndaluar Edi Ramën në përpjekjen e tij që të kontrollojë këtë shtet në gjithë qelizat e tij.
Si do të vijojë situata?
"Qëndrimi jonë është i qartë, ne do të marrim pjesë në mbledhjet e Komisionit dhe në komisionet e tjera opozita do të vazhdojë me të njëjtin qëndrim".
A po shkojmë në bojkot?
"Ne ishim prezent në mbledhjen e komisionit dhe bojkoti nuk mund të jetë kurrë një vendim i Edi Ramës. Jemi prezent për ta kundërshtuar. Mazhoranca, Edi Rama, po i mohon opozitës mundësinë që të marrë pjesë dhe të kundërshtojë në parlament të gjitha aferat që ai përpiqet ti kthejë në ligj dhe në këtë mënyrë më pas ti zhvasë shqiptarët ditë për ditë".
