Noka i ashpër me Bashën: Të kontrollojë artikulimin, Kuvendi i PD-së do të mblidhet kundër tij, jo SHBA-së
Deputeti demokrat, Flamur Noka, i rreshtuar në krah të Sali Berishës, ishte i prerë në deklaratën e tij se do të mblidhet Kuvendi Kombëtar për të shkarkuar Lulzim Bashën. Ai tha se ky Kuvend nuk është kundër SHBA por kundër kryedemokratit që e ka shkatërruar këtë forcë politike.
Lulzim Basha thirri në mbledhje të veçanta deputetët e komisioneve të përhershme parlamentare për të diskutuar mbi strategjitë që do të ndiqen, por mbledhja e Komisionit të Sigurisë riktheu debatin për përjashtimin e Sali Berishës.
Flamur Noka i ka thënë Bashës në mbledhje se nuk mund të ketë sjellje normale për sa kohe Partia Demokratike po rrezikon shkatërrimin e saj, qëndrim që e mbajti edhe për mediat jashtë.
Noka: Kryetari duhet të kontrollojë artikulimin e tij sepse nuk mundet që lideri i opozitës të kapet pas të ashtuquajturit proamerikanizëm të kryetarit dhe të shpallë anëtarësinë antiamerikane.
Flamur Noka, i cili është rreshtuar në krah të Sali Berishës, tha se rruga e vetme është mbledhja e Kuvendi Kombëtar, e ai nuk do të jetë kundër SHba-ve por kundër Lulzim Bashës.
Noka: I bëra me dije se Kongresi i PD do të mblidhet dhe Kuvendi Kombëtar do të mblidhet dhe nuk mblidhet për të shqyrtuar asnjë vendim të SHBA por ky Kuvend do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, kryetarit të PD i cili tashmë është minorancë, ilegjitim dhe nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së anëtarëve të PD. I bëra me dije se ky nuk do të jetë Kuvend kundër SHBA-së por kundër tij. Gjithçka është një proces dhe askush nuk mund të ndalojë vullnetin e anëtarëve të PD për tu shprehur. Zëri i çdo demokrati do të dëgjohet, vota e çdo demokrati duhet të lexohet.
A ka Basha mbështetjen e SHBA-ve? Noka dha këtë përgjigje:
Noka: Ambasada e SHBA-ve gjatë kësaj periudhe nuk ka mbështetur për asnjë ditë Lulzim Bashën por ka mbështetur Edi Ramën.
Por ai i druhet, Flamur Noka, shkarkimit si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë dhe largimit nga grupi parlamentar?
Noka: Kam 30 vjet në këtë parti, kam ardhur që fëmijë. Po të ishte për interesat e mia dhe të karrierës time do të isha një mjek onkolog si kolegët dhe nuk do të kisha asnjë kokëçarje.Jam angazhuar në politike për të kontribuar për vendin tim, të ardhmen e këtij vendi dhe të fëmijëve të mi dhe gjithë shqiptarëve. Jam angazhuar dhe kam sakrifikuar 30 vjet, ajo që më dhemb sot është fati i PD-së, fati i demokracisë në Shqipëri. Lulzim Basha me atë vendim përçau PD, i dha një goditje fatale kësaj force politike. I vetmi njeri që është sot i gëzuar nga ky vendim është Edi Rama, ka çuar ujë vetëm te mulliri i tij. Nuk ka të bëjë me fatin e karrierës individuale të Flamur Nokës apo çdo individi. Karriera individuale e çdo individi brenda PD përballë fatit të gjithë demokratëve është zero, përballë fatit të demokracisë në Shqipëri është zero.