PD kundër komisioneve parlamentare online: Duan të fshehin aktet korruptive. Reagon Balla

Partia Demokratike kundërshton mbajtjen e mbledhjeve të komisioneve parlamentare online.  Një vendim të tillë PD e quan të papranueshëm dhe mungesë të plotë transparence.

“Ka si qëllim ti fshihet syve të opinionit publik,  mbi aktet korruptive të qeverisë për ta trajtuar parlamentin si noter të këtyre akteve. Opozitës po tentohet ti mbyllet goja. Nuk besoj se ky është një parlament që mund të funksionojë” tha Gazmend Bardhi në një prononcim për median nga oborri i Kuvendit.

Vendimi i kryesisë së Kuvendit është marrë me argumentin e masave anticovid, por PD thotë se është e gatshme të respektojë rregullat.

“Jemi gati ti nënshtrohemi të gjitha rregullave që mbrojnë jetën e njëri tjetrit. Por masa me forcën e kartonit është e papranueshme” 

Bojkot?
"Unë nuk fola për bojkot. Jam konsultuar me të tre krerët e grupeve parlamentare të opozitës e brenda ditës së nesërme do të mblidhen për të marrë një vendim mbi këtë akt të paprecedentë" tha Bardhi.

Reagon PS 

Nga ana e tij kreu i grupit parlamentar të PS-se Taulant Balla rekomandoi një protokoll që asnjë deputet të mos hyjë në kuvend pa u vaksinuar.

Balla thotë se është rënë dakord dhe me kreun e grupit PD që mbljedhjet të jenë edhe në mënyrë tradicionale edhe online, dhe rast pas rasti mund të shqyrtohen në konferencën e kryetarëve. 

"Mbledhjet e komisioneve do vazhdojnë edhe në mënyrë tradicionale edhe online. Kemi rënë dakord dhe në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Nuk ka asnjë lloj përpjekjeje për të vrarë parlamentarizmin, e mos i dhënë hapësirë opozitës"