Mbollën "Golomeranin" me kanabis, 5 të arrestuar në Bulqizë, sekuestrohet dhe një automatik

Pesë të rinj janë arrestuar nga policia e Bulqizës prë kultivim kanabisi. Finalizimi i hetimeve 3 mujore çoi në pranga shtetasit Urim Murati, 33 vjeç, banues në Halil, Fushë-Krujë dhe Edison Burgu, 24 vjeç; Mirjan Burgu, 29 vjeç; Bernard Sallaku, 28 vjeç; Erblin Sallaku, 28 vjeç, të gjithë banues në Bulqizë.

"Bazuar në informacione dhe  prova të mbledhura gjatë një hetimi 3-mujorë, ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të dyshuar të kultivimit të  bimëve narkotike në vendin e quajtur 'Golomeran',  në njësinë administrative Ostren, Bashkia Bulqizë" njofton policia.

Gjatë operacionit shërbimet e policisë i kanë gjetur të fsheur shtetasit Urim Murati, një armë zjarri automatik me 28 fishek që i posedonte pa leje.

Gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar një sasi prej  2.6 kg kanabis në proçes tharjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Prodhim e shitje narkotikësh”, kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa leje “ , “Moskallzim Krimi”,  “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.