Vaksinim i detyruar për deputetët/ PS vendos: Komisionet online; PD kundër: Po i mbyllet goja opozitës

Asnjë nga deputetët nuk do lejohet në seancë nëse nuk është vaksinuar. Kështu, ka vendosur Konferenca e Kryetarëve me dakortësi të mazhorancës dhe opozitës. Por teksa dakordësia u gjet për këtë çështje, PD ka dalë kundër  vendimit që mbledhjet e komisioneve të zhvillohen online. Sipas tyre kjo është shkelje e Kushtetutës dhe e Rregullores së Kuvendit.

Ende nuk është përcaktuar një afat konkret, por brenda pak kohësh, ndoshta çështje muajsh, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të jenë të vaksinuar kundër Covid 19, në të kundërt nuk do të lejohen që të futen në parlament. 

Vendimi është marrë në Konferencën e Kryetarëve, që erdhi si propozim i kreut të grupit të PS, Taulant Balla, i cili si ndër rastet e rralla ka gjetur dakordësinë e opozitës dhe është miratuar me vota unanime.

Balla: Kemi rënë dakord në mënyrë unanime që Kuvendi të vendosë një afat brenda të cilit në Kuvendin e Shqipërisë të mos hyjë më asnjë deputet i pavaksinuar.Ka qenë dakordësi edhe e opozitës. Shqipëria është në situatë pandemie, edhe Kuvendi duhet të jetë shembull i respektimit të rekomandimeve. Nuk është çështje e seancës, është çështje për të cilën Konferenca e Kryetarëve ka marrë një vendim. Kemi lënë të hapur mundësinë e diskutimit për seanca të posaçme të komisioneve në ato ambjente që Kryesia e Kuvendit ka por kjo është një çështje që nuk mund të shprehet më seanca se ëhstë marrë vendimi përkatës.

Por një vendim tjetër i Konferencës së Kryetarëve për të vijuar mbledhjen e komisioneve parlamentare online prodhoi debat në Konferencën e Kryetarëve e më pas edhe në Parlament.

Partia Demokratike shprehet kundër këtij vendimi, duke theksuar se i bën jo efiçente dhe jo transparente mbledhjet.

Rushaj: Në konferencën e  Kryetarëve u mor një vendim antikushtetues. Në mënyrë të jashtëligjshme, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit u mor një vendim i pavlefshëm që kufizon që puna e komisioneve parlamentare të bëhet online. Rregullorja është e qartë se kur janë rastet kur komsionet mund të zhvillojnë veprimtarinë online, janë rastet e masave të jashtëzakonshme që mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme dhe gjendjes së fatkeqësisë natyrore. E vetmja arsye pse bëhet është për të kufizuar parlamentarizmin, për ta çuar drejt asgjesimit. Nuk e pranojmë. Kërkoj që ai vendim i paligjshëm të hidhet poshtë.

Alibeaj: Dihet si janë zhvilluar punimet e komisioneve në legjislaturën e  kaluar online, njëri në kafe, tjetri në plazh, tjetri në makinë, tjetri me gotën e rakisë dhe askush nuk merrte vesh nga publiku se ata jo e jo, se çfarë ishin duke diskutuar, votuar, cilat interesa të publikut ishin duke mbrojtur. Ka pasur një situatë të gjendjes të jashtëzakonshme por nuk është më. Qeveria ka thënë e kemi kaluar me sukses, nuk ndodh gjë lidhur me pandeminë. Baret sot i ke plot, fëmijët shkojnë në shkolla, parlamenti këtu jemi të gjithë, pse u dashka që vetëm komisionet parlamentare të bëhen online.Kemi shkuar dhe në koncerte para disa ditësh. Vetëm, ne deputetët u dashkemi mbrojtur në komisione për shkak të pandemisë, sinjali më i gabuar. Duhet të kthehemi në normalitet. A jemi në valën e vaksinimit, deputetët të vaksinohen, të paraqesin testin. Kështu mbrojmë deputetët dhe i garantojmë publikut të drejtën për tu informuar mbi veprimtarinë e parlamentit të vet. Majfton të shikoni dokumentat parlamentarë të legjislaturës së vitit të kaluar, gjysma e tyre thonë nuk dëgjohet, nuk kuptohet, nuk dihet si votohet, si është kuorumi. Kjo është të asgjesosh demokracinë.

Tabaku: Në Konferencën e Kryetarëve u njohëm me një shkresë sugjeruese të zonjës Rakacolli, militante të PS, me faktin që sugjeronte që komisionet parlamentare nuk duheshin zhvilluar fizikisht po online.Me dhunën e kartonave mund të vendosni çdo gjë, por kur pashë shkëlqesinë tuaj, kastën e ulur në opera ngjitur me njëri-tjetrin pa maska, koncerte, transporti publik i hapur, shkollat e hapura, minimumin e transparencës duhet ta kemi për punimet e Kuvendit. Nuk mund të vendosni me dhunën e kartonave ti hiqni fjalën opozitës.

Por Sekretari i Përgjithshëm demokrat, Gazmend Bardhi, tha se me këtë vendim mazhoranca kërkon ti mbyllë gojën opozitës.

Bardhi: Në emër të tre grupeve parlamentare të opozitës dua të informoj opinionin publik mbi një akt të paprecedentë të pakicës që ka uzurpuar parlamentin në Konferencën e Kryetarëve për t’i mbyllur gojën opozitës. Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të masave të jashtëzakonshme mund të zhvillohen mbledhje online të komisioneve.

Në parlament, deputeti Tritan Shehu, tha se nëqoftëse mazhoranca nuk tërhiqet, komisionet duhen bojkotuar.

Shehu: Kjo është çështje e seancës, e procedurës, e demokracisë, e lirisë, e shprehjes. Këtu kemi një tendence për grusht shteti brenda parlamentit, për t'i mbyllur gojën deputetëve. Komisionet janë bazë e diskutimeve. Kjo është të tallesh me parlamentin. Komisionet janë më shumë se sallë plenare, janë çështje të funksionimit normal të një shteti sovran. Vetëm për t'i mbyllur gojën deputetëve, kjo është shumë e rëndë e paimagjinueshme. Shqipëria është në gjendje epidemiologjike katastrofë dhe komisionet diskutojnë për masat që duhen marrë për këtë situatë. Kërkoni t'i mbyllni zërin komisioneve, kjo është çështje e dhunimit të drejtave të parlamentit dhe deputetëve. Apo hajde kot rrimë këtu, kot rrimë dhe atje. Ne të deklarojmë mos marrim pjesë në asnjë komision nëse do të bëhen online. Boll me lojëra!

Por për këtë çështje pritet që 3 grupet parlamentare opozitare të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët të shtunën për të vendosur mbi qëndrimin.

Bardhi: Për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja. Unë kam konsultuar të tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës. Gjatë ditës së sotme ose gjatë ditës së nesërme ne do të zhvillojmë një mbledhje të përbashkët të tre grupeve parlamentare. Vendimi është i papranueshëm, është mungesë e plotë transparence dhe ka si qëllim t’i fshihet syve të opinionit publik, e përsëris, mbi akte korruptive të qeverisë për ta trajtuar ashtu siç kanë bërë këto 8 vite parlamentin si noter të këtyre akteve korruptive. 

Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, u shpreh i hapur për tu ulur dhe diskutuar me opozitën për këtë çështje.

Taulant Balla njoftoi se do të ketë ndryshime edhe sa i përket numrit të komisioneve të përhershme parlamentare. Nga 8 që janë aktualisht pritet që të ketë 12 të tilla.  

Ndërkohë sot u miratua dhe përbërja e Komisioneve të Përhershme Parlamentare, pjesë e së cilës do të jenë edhe deputetët e LSI-së, Erisa Xhixho, Agron Çela si edhe Petrit Vasili.

Në komisionet ku LSI do të jetë prezent socialistët do të shtojnë 1 deputet, kjo për të ruajtuar shumicën.