PS kërkon dialog, Gjiknuri: Të gatshëm të ulemi me PD për reformën territoriale, zgjedhore e drejtësinë

Atë çfarë kryeministri Edi Rama e ka thënë publikisht, përfaqësuesit e tij po e çojnë në rrethe, faktin që Partia Socialiste është e gatshme që të ulet në çdo kohë në dialog me Partinë Demokratike përsa i përket reformave kryesore në vend.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, thotë se mazhoranca është e gatshme për dialog në tryezë por jo me megafona dhe deklarata për shtyp.

Gjiknuri: E ka thënë edhe kryeministri, ne jemi të të gatshëm të ulemi e të dialogojmë. Kjo nuk bëhet as me diplomacinë e megafonit e as me deklarata për shtyp, por të ulemi në tryezë siç kemi bërë reformën zgjedhore më parë apo reforma të tjera.

Teksa reforma në drejtësi do ndryshime kushtetuese për shtyerjen e Vettingut, Gjiknuri kërkon edhe për këtë bashkëpunimin e PD-së, duke marrë parasysh që një reformë e tillë nuk mund të bëhet pa votat e opozitës ku kërkohen të paktën 94 të tilla.

Gjiknuri: Kryemininistri e tha së pertej pikëpamjeve të ndryshme si për reformën në drejtësi apo qoftë për atë territoriale apo zgjedhore, e mira është të fillojë një dialog. Dialogu zhvillohet në institucione, PD është brenda tyre tashmë, e mirëpresim në çdo kohë. Për përmbajtjen është shpejt të flasim sepse është produkt i tryezës.

Pyetje: Mishëron kjo klimë atë që thotë Sali Berisha, pazar Rama-Basha?

Gjiknuri: Nuk dua të hyj në akuzat që kanë ata me njëri-tjetrin, është problem i tyre i brendshëm, PS është gati të dialogojë me PD zyrtare, kushdo që merr përsipër ta përfaqësojë dhe do të shprehë interesat e demokratëve për ato që ata mendojnë të nevojshme. Por negociatat dhe politikbërja zhvillohet në institucione, ne jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo kohë me ta.

Deklaratat e Gjiknurit vijnë pak orë pasi kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur në selinë blu drejtuesit e degëve, ku i ka porositur që të nisin nga puna për të paraqitur propozimet për reformën territorialë, një ndër prioritetet e PD-së në këtë legjislaturë.