Drejt Bolonjës me letërnjoftime dhe patenta italiane false, tre të arrestuar në Rinas

Tre personat kanë rënë në prangat e policisë kufitare të Rinasit pasi tentuan të kalonin kufirin me dokumenta të falsifikuara.

Mësohet se shërbimet e Policisë Kufitare Rinas kanë kaluar për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, shtetasit P. C, A. K, dhe E. H, të cilët do të udhëtonin me linjën ajrore, me destinacionin “Bolonja”.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 letërnjoftimi italiane, 3 patenta italiane si dhe 3 dokumenta shëndetësore italiane, të dyshuara të falsifikuara.

"Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit P. C., 25 vjeç, A. K., 19 vjeç dhe E. H., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimit të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim".

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.