Policia në kërkim të ish-prokurorit Adriatik Llalla
Policia është në kërkim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të një dite më parë të Apelit të Posaçëm për lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë për dënimin e tij me dy vite burg.
Llalla është shpallur person në kërkim kombëtar, pasi uniformat blu nuk e kanë gjetur në banesë dhe ai vetë nuk është paraqitur vullnetarisht në polici.
Pak orë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe urdhrit të SPAK për të ekzekutuar arrestimin e ish-prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla, policia u paraqit mbrëmjen e të mërkurës, 22 shtator, te shtëpia e tij për ta prangosur.
Policia e Shtetit ka trokitur në portën e ish-kryeprokurorit rreth orës 20:20, por nuk e ka gjetur aty Adriatik Llallën, pasi dyshohet se ai është larguar nga vendi.
Besohet se Llalla është larguar nga Shqipëria më 7 shtator.
Ndërkohë, avokati Sokol Hazizaj më herët tha se klienti i tij është i shtruar në një spital publik në Shqipëri.
Avokati pretendoi gjithashtu se vendimi i Apelit ishte i paracaktuar dhe nuk është vërtetuar asnjë akuzë që është ngritur nga prokuroria.
Një ditë më parë Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin me 2 vite burg të shkallës së parë për Llallën, mosushtrimin për 5 vite të asnjë funksioni publik si dhe konfiskimin e pasurisë, përkatësisht një apartament në Durrës dhe 4 pasuri të paluajtshme të llojit tokë arë me sipërfaqe gjithsej 22.300 m2 në Tiranë, të cilat do t’i kalojë shtetit shqiptar në përdorim.
Llalla është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

