"S'duhet të biem pre e manisë për të ndërtuar 4 aeroporte", Lazimi: Programi i qeverisë asnjë surprizë

Eksperti i ekonomisë, Majlind Lazimi në një lidhje të drejtpërdrejtë me Ora News, me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se është e rëndësishme të bëhet një plan integral i investimeve publike. I pyetur nëse Shqipëria ka nevojë për kaq shumë porte dhe aeroporte, pjesë e planit të qeverisë "Rama 3", Lazimi u shpreh se 4 aeroporte janë shumë.

Sipas tij, problemi është se si do të bëhen këto investime të planifikuara nga qeveria "Rama 3", a kemi mjetet dhe instrumentet e duhura financiare.

Lazimi: "Ky program qeverisës tregon më shumë se çfarë do bëjë, por ajo çfarë mbetet shumë e rëndësishme është fakti se si do ta bëjë? Pra cilat janë instrumentet, cilat janë burimet për këto investime qofshin në infrastrukturë, qoftë investimet me impakt social. Në rapot me investimet në infrastrukturë, padyshim që zhvillimi i porteve dhe aeroporteve është shumë i rëndësishme për një vend në zhvillim siç është Shqipëria. Problemi është si do bëhen këto investime, me çfarë financimi dhe me çfarë kohe? Dhe a kemi një lloj përzgjedhje në mënyrë të zgjuar se cilat nga portet apo aeroportet duhen ndërtuar të parat. Nuk duhet të biem pre e manisë për të ndërtuar 4 apo 5 aeroporte për aq kohë sa kjo ka qenë një zgjidhje ka dështuar edhe në shtete të tjera. Unë shpresoj që qeveria duhet të bëjë një vlerësim të mirëfilltë, besoj që 4 aeroporte janë shumë. Është shumë e rëndësishme të bëhet një plan integral i investimeve publike ku gjithë këto vepra infrastrukturore të jenë në sinergji me planet e zhvillimit. "

Lazimi u ndal edhe të varfëria dhe u shpreh se një çështje thelbësore si kjo nuk po trajtohet si duhet. Eksperti u shpreh se programi i qeverisë së re është vazhdimësi e 8 viteve të kalura dhe nuk priten surpriza.

Lazimi: "Varfëria si çështje thelbësore nuk po trajtohet si duhet. Kemi nevojë së pari për një model strategjik zhvillimi. Unë nuk shoh sinergji mes qeverisë që është politikë-bërës, mes Akademisë e cila në njëfarë mënyre duhet të ndryshojë komplet kurrikulat dhe nga ana tjetër shoqëria civile dhe biznesi në tërësi. Do të duhet që biznesi të gëzojë padyshim një treg i cili të jetë konkurrencial, larg monopoleve. Thelbësisht programi qeverisës është një program më i shtjelluar elektoral, por është një vazhdimësi e asaj që ka qenë këto 8 vite, nuk shoh asnjë surprizë."