"Ka argumenta pro dhe kundër", Rakacolli tregon se pse nuk po procedohet me dozën e tretë dhe vaksinimin e fëmijëve
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, njëherësh dhe kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi sot se për vaksinimin vendos Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Deklarata erdhi si përgjigje ndaj reakomandimit të Akademisë së Shkencave për injektimin e dozës së tretë të vaksinës te moshat mbi 60 vjeç dhe të sëmurët kronikë si dhe nisjen e vaksinimit të fëmijëve mbi 12 vjeç.
Rakacolli: Në lidhje me rekomandimin e Akademisë së Shkencave për dozën e tretë të vaksinës dhe vaksinimin e fëmijëve dua të them se vendimi për bërjen e vaksinave jepet nga Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit i cili është një komitet permanent që funksionon pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe që merr vendime dhe jep rekomandime për të gjithë llojet e vaksinave, kalendarin e vaksinimit, cilat vaksina duhet të bëhen të detyruara dhe në çfarë kohe duhet të bëhen ato. Vendimi është një vendim i Komitetit të Ekspertëve të Vaksinimit i cili deri tani nuk e ka prezantuar një vendim të tillë.
Natyrisht që bërja e dozës së tretë dhe fillimi i vaksinimit të fëmijëve është diçka që po bëhet në disa vende të botës por jo në të gjitha sepse siç ka argumentat për ta bërë ka dhe argumenta për mos ta bërë, aq më tepër cilat grupmosha dhe kur për ta bërë. Janë vendime të kujdesshme që duhen marrë nga njerëz ekspertë të kësaj fushe. Ndërkohë që studimi i Akademisë ishte studim që bazohet në gjendjen e antitrupave në popullsi dhe nuk është konkluzion që ka dalë nga ai studim, por një rekomandim.
