Patos/ Situatë alarmante nga djegia e mbetjeve, banorët: Të veprohet si në Fier, u mbytëm nga tymi

Fusha e mbetjeve në Patos po vijon të digjet për të dytën ditë me radhë. Tymi ka mbuluar të gjithë fshatin Zharrëz, ndërsa banorët apelojnë për një zgjidhje urgjente pasi në pikëpyetje është jo vetëm mjedisi, por edhe shëndeti i tyre.

Banorët e fshatit Zharrës në Patos u zgjuan të mërkurën nën pushtetin e tymit.

Djegia e fushës së mbetjeve prej së martës (21 shtator) ka shkaktuar një situatë të vështirë.

Banorët e shqetësuar bëjnë apel nga institucionet që të gjendet një zgjidhje e menjëhershme.

"Banorët e Zharrëzës kanë qenë në pushtetin e tymit, tymi rrafsh me tokën."

Pothuajse të gjitha rrugët e fshatit janë të mbuluara me tym.

Banorët thonë se ndihen të kërcënuar për shëndetin e tyre, ndaj situata për ta është alarmante.

"I bëj thirrje bashkisë Patos të veprojë siç u vepruar me plehrat e Fierit, vetëm izolim me dhe se me zjarrfikëse është e pamundur. Ka punuar gjithë natën dhe gjendja vazhdon të jetë e tillë. Ne jemi një fshat shumë i ndotur nga gazrat dhe pluhrat, na duhej dhe një tym."

Pavarësisht se mjetet e Bashkisë kanë punuar edhe natën, zjarri nuk është arritur që të vihet nën kontroll.

Pak javë më parë në të njëjtën situatë u përfshi edhe qyteti i Fierit, ku fusha e mbetjeve mori flakë për disa ditë me radhë.