Covid 19 në kontroll, Komiteti nuk ndryshon masat, ora policore 23:00-06:00

Komiteti Teknik nuk ka ndryshuar masat aktuale anti-Covid, të cilat do të mbeten në fuqi edhe për dy javët e ardhshme.

Rakacolli: Situata mbetet e qëndrueshme këtë javë për këtë arsye Komiteti mendon që mos të ketë ndryshim të masave që kemi në fuqi tani. Edhe për këto dy javë ora policore do të mbetet 23:00-06:00, përdorimi i maskave i detyrueshëm në ambjente të mbyllura, aeroporte, qendra tregtare, supermarkete, nuk do lejohet grumbullimi i njerëzve më shumë se 50 veta, aktivitetet sportive dhe kulturore do të realizohen në kapacitete jo më shumë se 30% të ambjenteve dhe duke respektuar protokollet e ISHP.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha gjithashtu se mbetet i pandrryshuar rregulli për hyrjen e qytetarëve të huaj dhe shqiptarë në pikat tona kufitare, test Covid negativ të 48 orëve të fundit nëse është i shpejtë dhe 72 orë nëse është PCR, certifikatë vaksinimi ose dëshmi se e kanë kaluar Covidin brenda 180 ditëve.

Nëse nuk disponojnë asnjë nga këto dokumente do të karantinohen për 10 ditë.

Rakacolli apeloi edhe njëherë për rëndësinë e vaksinimit në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.

Rakacolli: Shkollat janë të përgatitura për zbatimin e protokolleve anti-Covid. Maksa është e detyruar për nxënësit mbi 12-vjeç.

Kryetarja e Komitetit Teknik nënvizoi edhe rëndësinë e personelit arsimor.

Rakacolli: Kemi thënë që personeli arsimor do të jetë i vaksinuar deri ditën që do të fillojë mësimi për këtë punë është lënë dhe vaksinimi i hapur. Nëse do të ketë arsimtar ose personel tjetër arsimor që nuk është i vaksinuar do tu duhet të provojnë faktin se nuk janë të infektuar përmes PCR negativ çdo javë. Sa i takon studentëve vaksinimi është i hapur. Të rendin shpejt dhe ta bëjnë vaksinën.

Drejtorja e ISHP-së Fico dhe mjekët Bino dhe Kraja bënë një panoramë të situatës epidemiologjike, vaksinimit dhe shtrimeve në spitalet Covid.

Fico:  Vazhdojnë nivelet e larta të infektimeve, shtrimeve në spital dhe humbjeve të jetës.Situata epidemiologjike ka pësuar ndryshime të ndjeshme. Rastet ditore kanë pësuar ulje, totali i rasteve aktive kanë pësuar një rritje.  Grupmoshat më të prekura janë  65-74 vjeç. Numri total i bashkive të prekura është 51. Mbulesa vaksinale, është 41% me një dozë,  33% me dy doza. Gjirokastër, Delvina, Përmeti, Puka, Kolonja.

Bino: Gjatë kësaj jave ka pasur një rritje të vaksinimit me të dy dozat. Bashkia e Durrësit ka dalë nga zona e kuqe. Bashkitë që kanë mbulesë më të mirë vaksinale janë Gjirokastra, Delvina.Mirdita dhe Puka në veri. Në veri kemi përmirësim të mbulesës vaksinale në Tropojë dhe Kukës.Arsimtarët e shkollave të mesme kanë mbulesë më të mirë vaksinale se edukatorët e kopshteve dhe çerdheve apo pedagogët e universiteteve, 66% me dy doza në krahasim me pjesën tjetër që është më e ulët. Nuk kemi humbje të vaksinave, nuk ka skaduar një vaksinë që mos ta kemi përdorur. Te punonjësit shëndetësor kemi mbulesë vaksinale të lartë por kemi akoma nevojë për një rritje të vaksinimit për të gjithë grupmoshat për të arritur në shifrat 95% te të gjithë grupmoshat.

Kraja:  Në spitalet Covid 1 dhe 3 janë 230 pacientë në 9 njësitë kryesore të tij. Kapaciteti prej 30% është i lirë. Të sëmurët vijnë kryesisht nga Tirana, Durrësi, Elbasani dhe rrethe të ndryshme. Grupmoshat janë 19-89 vjeç por mbizotëron grupmosha 50-65 vjeçare. Në këtë fazë ka më shumë raste të grave shtatzënë që vijnë me Covid, një pjesë e të cilave janë dhe me forma serioze. 95% e rasteve janë të pavaksinuar. 63% e rasteve paraqesin forma të mesme ose të rënduara nga komplikacionet e vetë Covid apo sëmundjet kronike që kanë. 24% janë forma të rënda dhe 13% konsiderohen forma kritike.  Të intubuar janë 13 të sëmurë. 00.1% e rasteve të të infektuarve të shtruar në spitale janë të vaksinuar. Vdekshmëria në spital 5.1-5.4 në ditë.