Meta reagon për Veriun: Palët të kapërcejnë tensionet dhe t'u përmbahen detyrimeve nga marrëveshjet

Presidenti, Ilir Meta, ka reaguar për situatën në veri të Kosovës, duke deklaruar se ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë.

Në këtë frymë, thotë Meta në një postim në facebook, palët duhet të kapërcejnë tensionet, të vijojnë dialogun dhe t’u përmbahen detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura nga të dy vendet me ndërmjetësimin e BE dhe SHBA.

Mbi zhvillimet në veri të Mitrovicës pas vendosjes nga qeveria e Kosovës të reciprocitetit për targa të përkohshme kosovare në automjetet që hyjnë nga Serbia në Kosovë reaguan një ditë më parë dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një postim në twitter kryeministri Rama i jep të drejtë Kosovës për masën e marrë, por sugjeron që të shmanget bumerangu i ngrirjes së konfliktit.

"Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, theksoi Rama në Twitter.

Ndërsa kreu i PD dhe i opozitës, Basha në reagimin e tij po në twitter e quan reciprocitetin "një të drejtë të patjetërsueshme të Kosovës.”

"Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”, tha Basha.