Drejtësia afron PD - PS? Për ndryshimin e Kushtetutës socialistëve u duhen votat e Bashës
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë nisur diskutimet e para për të votuar ligjet në parlament. Bëhet fjalë për ndryshimin e Kushtetutës sa i përket mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të komisionerit publik.
Mandati i dy institucioneve të reja, i pari për kalimin në sitë të profesionalitetit, pasurisë dhe integritetit dhe i dyti për apelimin ose jo të vendimeve të KPK, përfundon në qershor të vitit të ardhshëm.
Sipas ligjit themelor të shtetit pas përfundimit të mandatit është Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor si dhe SPAK që do të marrin detyrën. Ndaj dhe si zgjidhje socialistët do të propozojnë ndryshimin e Kushtetutës duke u lënë dhe një mandatë të dytë anëtarëve të institucioneve të reja të drejtësisë.
I njëjti votim pritet të kërkohet nga socialistët edhe për ONM.
Por për të realizuar këtë do të duhet që socialistët të bindin deputetët e Partisë Demokratike, pasi ndryshimet kushtetuese kërkojnë të paktën 94 vota.
Për këtë qëllim Taulant Balla ka mbledhur kryesinë e grupit parlamentar ku është diskutuar strategjia që do të ndiqet.
Po ashtu dhe demokratët kanë zhvilluar në selinë blu mbledhjen e kryesisë së deputetëve ku mësohet se është folur mbi reformat që do të kërkojë opozita siç është Kodi Zgjedhor dhe harta territoriale por po ashtu dhe për propozimet për ndryshimin e Kushtetutës.
Megjithatë arena e debatit për këto pika do të jetë séance parlamentare e cila fillimisht do të miratojë më parë anëtarët e komisioneve e më tej me projektligjet e qeverisë apo nismat e deputetëve.
