Regjistrimi në Universitete, raundi 1 përmbushi 64% të kuotave në Tiranë

Gati gjysma e kuotave të pranimit në Universitetin e Tiranës janë plotësuar që në fazën e parë të regjistrimeve. Degët më të preferuara janë ekonomiku, informatika dhe gjuhët e huaja ndërkohë që këtë vit nuk do të hapen disa degë të shkencave ekzakte dhe gjuhët e huaja si rusisht dhe greqisht, për shkak të mungesës së kërkesave.

Universiteti i Tiranës këtë vit ka regjistruar një rritje e lehtë numrit të aplikimeve.

Rektori, Artan Hoxha, në përmbyllje të fazës së parë të regjistrimeve tha se 58.472 maturantë kanë aplikuar për një nga programet e studimit.

"Kuotat në Universitetin e Tiranës janë 5133, do ët thotrë 78 kuota më shumë nga viti që shkoi. Numri i regjistrimeve është 3258," tha rektori.

Edhe këtë vit preferencat e maturantëve janë të njëjta për degët e studimit informatikë ekonomike, informatikë, financë, drejtësi por edhe gjuhët e huaja.

"Drejtësia ka 46 aplikime më shumë, informatika ekonomike ka 270 më shumë. Po ashtu 270 ka informatika aplikime më shumë, teknologjia e informacionit dhe komunikimit ka 534 aplikime më shumë, inxhinieria matematike dhe informatike 181 aplikime më shumë," tha Hoxha.

Të rinjtë që kanë zgjedhur të bëhen mësues, këtë vit janë përballur me më shumë kritere pranimi, për të rritur nivelin e arsimtarëve të rinj.

"Disa programe të tjera të mësuesisë ne i kemi me problematikë. Në gjuhët e huaja për shembull kemi pasur gjuhën ruse dhe greke me problematikë, pastaj kemi dhe programe të tjera siç janë fizika, kimia, filozofia të cilat kanë pak regjistrime," shtoi rektori.

Raundi i dytë i aplikimit do të nisë në 19 shtator e do të përfundojë tri ditë më vonë, ndërsa viti i ri akademik pritet të nisë në 11 tetor.

Forma e zhvillimit të leksioneve me prezencë në auditor ose jo do të vendoset në bazë të kriterit të vaksinimit./OraNews/