Bulqizë: I jepet lamtumira minatorit pas 6 ditëve nëntokë, arrestohet drejtuesi teknik i minierës
Trupi i pa jetë i minatorit 61 vjeçar Muharrem Plaku u nxor nga galeritë e minierës së Bulqizës pas 5 ditësh kërkime, ndërkohë që policia ka ndaluar dy persona me akuzën e shkeljes së kushteve të sigurisë në punë.
Pas largimit të qindra metër kub materiali nga shembja e brendshme në galerinë nr 3, trupi i minatorit është gjetur rreth orës 23.50 të së dielës.
Autopsia
Pas kryerjes së autopsisë në morg mbi kohën dhe shkakun e vdekjes, autoambulanca ka përcjellë drejt familjes trupin e minatorit për kryerjen e riteve mortore.
Arrestimi
Policia lokale ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë ku pas verifikimeve është ndaluar drejtuesi teknik i subjektit minerar shtetasi Veli Losha dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë tekniku Saba Hasani.
Policia tha se këta dy persona kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15 shtator 2021, në një nga nënkatet e subjektit minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60 vjeçari Muharrem Plaku punëtor në minierë.
"Shtetasit e lartpërmendur kanë pasur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 15.09.2021, në një nga nënkatet e një subjekti minerar, është shembur një masiv materiali dhe për pasojë ka humbur jetën 60 vjeçari (punëtor në minierë)," informon policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Galeria nr.3 ku ndodhi ngjarja menaxhohet nga subjekti "KADURTEX sh.p.k." ndërkohë që dosja për ngjarjen tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Dibrës për hetime të mëtejshme.
/OraNews/
