Hije të tjera dyshimi në tenderin 130 mln eurosh të Unazës së Madhe
Hije të tjera dyshimi dalin në dritë në lidhje me shtatë tenderat e hapur për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës me një vlerë prej 130 milionë eurosh. Procedura ka nisur në një kohë që financimi i projektit ende nuk është i qartë. Veç kritereve që subjektet e interesuara i kanë konsideruar si kostum të qepur me porosi, nëse u referohemi dokumenteve zyrtare, bie në sy edhe paqartësia e krijuar me financimin.
Punimet parashikohet të përfundojnë brenda 24 muajve nga nënshkrimi i kontratave, por çudia ndodh me fondet. Qeveria do të marrë përsipër të financojë 20 për qind të shumës në vitin e parë, por nuk ka asnjë përgjigje konkrete se si dhe kur do të përballohet pjesa tjetër e pagesës për subjektin që do të realizojë punimet.
E vetmja shprehje e zyrtarëve të ARRSH-së është se financimi është planifikuar në plan buxhetin e vitit 2021 deri në 2023.
“Buxheti i miratuar për vitin 2021 është parashikuar në vlerën 20% të vlerës totale të fondit limit me tvsh. Mbulimi me fonde përtej vitit 2021 do të bëhet në varësi të fondeve që do t’i akordohen ARRSH-së për secilin vit buxhetor nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, kjo është një pjesë e sqarimit të autoritetit rrugor shqiptar drejtuar një prej subjekteve të interesuar. Ndërsa në një tjetër shkresë thuhet se Vlera e parashikuar është për 3 vite ndërsa afati I punimeve 24 muaj.

Në këtë rast ngrihet pyetja se cili mund të jetë subjekti që ka kapacitet të sigurt financiar sa të marrë përsipër pjesëmarrjen në garë ku fondet nuk janë të sigurta.
Tashmë mes kompanive po qarkullon dhe një listë me 7 subjektet që konsiderohen të favorizuara për të fituar tenderin prej 130 milionë eurosh. Konkluzioni për të arritur te emri i tyre del pas llogaritjes së licencave të inxhinierëve dhe numrit të tyre që ka secila kompani, makinerive të posaçme që janë renditur në kërkesat e ARRSH-së, por edhe në një tjetër detaj: skema që kërkohet për punësimin e banorëve të zonës. Sipas formulës së pikëzimit të subjekteve kjo do të favorizojë më shumë kompanitë që kanë aktualisht punime të tilla në Tiranë.
