Tetova shpall 3 ditë zie për ngjarjen tragjike në spitalin Covid
Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie pas zjarrit që vrau 14 pacientë në spitalin e Tetovës.
Ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësit nxorën në mesnatë trupat e pajetë nga qendra lokale ku kuroheshin qytetarët e infektuar rëndë me koronavirus.
“Prioritet i ynë ishte që njerëzit si pacientët të cilët trajtoheshin në atë spital t’i nxjerrim sa më shpejtë. Numrin e saktë nuk mund ta them dhe nuk mund ta di meqenëse secili zjarrfikës i cili ishte në detyrë dhe që kryente obligimet e tij mundoheshim sa më shumë të nxjerrim, numrin e saktë nuk mund ta di.”
12 persona bashkë me stafin mjekësor mundën t'i shpëtojnë në kohë flakëve që e mbuluan shpejt ndërtesën.
Zjarri ra rreth orës 21:00 dhe dyshohet se shkaktar qe takimi aksidental i rrymës elektrike me një bombol oksigjeni.
“Ne për 4-5 minuta veç kemi arrit në vendin e ngjarjes pas paraqitjes së zjarrit, por vetëm një detonim kemi arrit ta dëgjojmë dhe atë mendoj nga rryma elektrike që ndodhi, ndërsa thuhet që ka pasur edhe një detonim tjetër nga ndonjë bombole e oksigjenit, por duke marrë parasysh që oksigjeni nuk është ndezës dhe nuk është i rrezikshëm, oksigjeni është vetëm si forcues derisa eksplodon bombola e oksigjenit, ajo është si forcues apo i jep fuqi zjarrit të përhapet.
Mirëpo me intervenimin tonë në dy anët e objektit, meqenëse dy automjete kemi hyrë Brenda në hapësirat e spitalit dhe me një automjet faktikisht katër ekipe kemi qenë të formuara për këtë rast, kemi fut zjarrin nën kontroll shamë shpejtë.”
Zjarrfikësve iu desh gjysmë ore për të shuar flakët por zgjati më tepër identifikimi i kufomave.
Spitali modular u ngrit vitin e kaluar por ishte denoncuar për standardet e ndërtimit dhe javë më parë edhe u tentua t'i dëmtoheshin tubat e furnizimit me oksigjen dhe ajër.
Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, bëri thirrje për zbardhjen e tragjedisë.
“Në vend ka pasur më tepër spitale modulare, ato kanë ecur në bazë të procedurave të caktuara dhe Komuna e Tetovës si gjithmonë u është përmbajtur atyre procedurave. Çka do që të themi do të spekulonim dhe të gjithë ne që jemi këtu duhet të kemi kujdes nga spekulimet që mos të shkaktojmë akoma më shumë dhimbje, ka mjaft dhimbje dhe nuk meriton më shumë spekulim, por jam shumë e bindur se institucionet do t’i shikojnë të gjitha, të gjitha pistat për të gjetur arsyet, shkaqet, meqë pasojat janë aq të mëdha saqë patjetër duhet të gjinden shkaqet e tërë kësaj tragjedie.”
Presidentë dhe shtetarë të rajonit e Bashkimit Europian ngushëlluan të enjten familjet dhe të afërmit e viktimave, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
Maqedonia e Veriut ka regjistruar mbi 6,100 fatalitete nga sëmundja e Covidit-19 dhe ditët e fundit ka raportuar rritje të infektimeve.

