Zjarri në spitalin e Tetovës: Vuçiç i telefonon Zaev i ofron "ndihmën vëllazërore", Nga Tirana telefonata nga Manastirliu
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev për ti ofruar gadishmërinë për ti ndihmuar.
Vuçiç u dërgoi ngushëllime në emër të të gjithë qytetarëve serbë për familjet e viktimave nga zjarri në spitalin e Tetovës.
Në të njëjtën kohë, ai i tha kryeministrit maqedonas se Serbia është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë.
“Qytetarët e Serbisë janë në dhimbje së bashku me njerëzit në Tetovë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë vëllazërore, sepse qytetarët e Maqedonisë nuk janë vetëm në këtë tragjedi”, tha Vuçiç në një bisedë telefonike me Zaev, shkruan Tanjug.
Edhe Shqipëria I ka ofruar ndihmë Maqedonisë.
Ministrja e Shëndetësi, Ogerta Manastirliu pati një bisedë telefonike me homolegun e saj të Maqedonisë së Veriut, Venko Filipce ku i ka shprehur ngushëllimet për qytetarët që humbën jetën në tragjedinë e Tetovës. Ministrja Manastirliu e siguroi homologun e saj për gatishmërinë për t'i ofruar ndihmë në këtë moment të vështirë.
“Gjatë bisedës me kolegun Venko Filipce të Maqedonisë së Veriut, i shpreha ngushëllimet për qytetarët që humbën jetën në tragjedinë e Tetovës dhe e sigurova për gatishmërinë tonë, për të ndihmuar me të gjitha mundësitë dhe burimet tona, në këtë moment të vështirë për fqinjët tanë”, shkruan Ministrja Manastirliu në facebook.