Vrasja e politikanëve të PDK-së në Pejë, policia sekuestron armët që u përdorën në ngjarjen kriminale

Policia ka gjetur dy revole dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur në vrasjen e dy politikanëve të PDK në Pejë.

Vrasja e politikanëve të PDK-së në Pejë, policia

Ngjarja e rëndë rreth orës 20:20  të mbrëmjes së të mërkurës  afër Shkollës së Mesme “Ali Hadri”, ku pas një konflikti,  mbetën të vdekur dy zyrtarë të lartë të PDK-së, kandidati për kryetar të Komunës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj.

Po ashtu vëllai i Astritit, Avniu, është plagosur, i cili sipas mjekut kujdestar në spitalin e Pejës, është rrezikut për jetën.

Vrasja e politikanëve të PDK-së në Pejë, policia
Avni Ademaj

Lidhur me ngjarjen, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka tregur se familja Ademaj kishte probleme të mëhershme me familjen Kadrijaj dhe sipas informatave jozyrtare, të dy viktimat janë takuar sonte për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet e mëhershme.

Muhaxheri nuk ka dhënë detaje se çfarë problemesh kanë pasur, por që ka thënë se kjo nuk ndërlidhet me motive politike.

“Është një rast tragjik që ka ndodhur në qytetin e Pejës, janë vrarë dy djem të rinj. Nga informatat e para që i kemi ka qenë një konflikt momental, por që ka qenë edhe më i hershëm dhe ngjarja ka ndodhur para shtëpisë së vëllezërve Ademaj. E kanë pasur një konflikt të më hershëm dhe sonte janë takuar për të zgjidhur problemet mes tyre. Kanë qenë në lokalin e familjes Ademaj”, ka thënë Muhaxheri.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se kanë arrestuar personin e tretë të përfshirë në ngjarje.

Ai ka shtuar se janë të përkushtuar që me të gjitha kapacitet ta zbardhin rastin.

“Sapo më njoftuan se një ngjarje e trishtuar ka ndodhur në qytetin e Pejës ku kemi vrasje të dyfishtë dhe një të plagosur, i cili tashmë është arrestuar. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është qenësore. Prandaj, jemi të përkushtuar, që me të gjitha kapacitetet të zbardhim rastin”.

“Ngjarjet e tilla të dhunës me armë duhet të marrin fund. Jam plotësisht i angazhuar për të siguruar që Policia e Kosovës të ketë të gjitha resurset e nevojshme për të zbardhur rastin dhe ofrojë siguri për qytetarët”, ka deklaruar Sveçla.

Vrasja e politikanëve të PDK-së në Pejë, policia
Viktimat, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadriaj

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë se akoma është herët të flitet për rrethanat se si ka ndodhur ngjarja e vrasjes së dyfishtë në rrugën “Ali Hadri” në këtë qytet.

Ai ka deklaruar se janë duke punuar intensivisht për të zbuluar të gjitha rrethanat e rastit.

“Është duku e punuar në mënyrë intensive në vendin ngjarjes që të kuptohen rrethanat se si ka ardhur deri tek ky incident. Ndërkaq, është fazë shumë e e hershme për të dalë me një qëndrim se çfarë ka ndodhur dhe si ka ardhur tek ngjarja”,ka thënë Nikçi. 

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate ka thënë se janë të tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në qytetin e Pejës.

PDK ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre.

“Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Për rastin ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani,  duke ftuar organet e rendit të zbardhin sa më parë vrasjen e dyfishtë.