"Përqafim vëllazëror për krejt komunitetin tetovar", Rama ngushëllon familjet e viktimave nga zjarri

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave nga zjarri në spitalin modular të Tetovës.

"Mirëmëngjes dhe duke u bashkuar me të gjithë ju në ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin Covid të Tetovës, si edhe në përqafimin vëllazëror për krejt komunitetin tetovar dhe mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut, ju uroj një ditë të qetë juve e gjithë familjeve tuaja" shkruan Rama në një postim në facebook.

Edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, shkruan se është thellësisht e pikëlluar nga tragjedia në spitalin COVID të Tetovës.

"Ngushëllimet më të ndjera familjarëve e mbarë komunitetit shqiptar. Dhimbja juaj është dhimbja jonë, tragjedia juaj është tragjedia jonë" shprehet Xhaçka në facebook.

Të paktën dhjetë persona kanë humbur jetën në Tetovë, si pasojë e zjarrit që ka përshirë spitalin modular për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus, të mërkurën rreth orës 21:00.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nuk e ka përjashtuar mundësinë që numri i të vdekurve të jetë më i lartë, por nuk ka dhënë detaje tjera, as për të plagosurit, e as për numrin e personave që gjendeshin në spital në kohën e shpërthimit të zjarrit.

Zjarri besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.