"Kjo është një tragjedi e madhe", kryekomunarja e Tetovës Arifi: Hetuesit po hetojnë shkaqet. Në 10:00 mblidhet qeveria
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e ka cilësuar një tragjedi të madhe atë çfarë ndodhi në spitalin modular.
Deklaratën e bëri në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës pas takimit të shtabit të krizës në ndërtesën e komunës, por nuk ndau detaje dhe informacione zyrtare për numrin e viktimave dhe të lënduarve nga zjarri në spitalin modular ku trajtoheshin të sëmurët me koronavirus.
Arifi tha se nuk mund të konfirmonte që kishte rreth 20 persona të vrarë në flakë derisa të merrte informacion zyrtar.
"Ne nuk kemi informacion të saktë për shumë detaje. U vendos në mbledhjen e shtabit për krizat që të mos bëjmë deklarata derisa të marrim informacion zyrtar. Hetuesit po hetojnë shkakun e zjarrit. Kjo është një tragjedi e madhe. Vetëm shërbimet profesionale, ekspertët e mjekësisë ligjore, teknikët kriminalistikë dhe të gjithë të tjerët që janë në terren sonte dhe po inspektojnë mund të thonë se çfarë e shkaktoi zjarrin. Aq sa lejojnë kushtet, ata do të punojnë gjatë natës, dhe inspektimi do të bëhet nesër gjithë ditën", tha Arifi.
Ndërkohë qeveria e Maqedonisë së Veriut do të mblidhet sot në orën 10:00 në një mbledhje të jashtëzakonshme për tragjedinë në Tetovë.
