Vrasja e dy politikanëve në Kosovë, Kurti: Të zbardhet ngjarja
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kosovën mbrëmjen e 8 shtatorit.
Në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 17 tetor, dy politikanë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë vrarë me armë zjarrin njëri-tjetrin.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarrin, kanë mbetur të vrarë, kandidati për kryetar të Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati i PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me anë të një postimi në Facebook i ka shprehur ngushëllimet e veta familjarëve të viktimave dhe ka ftuar organet e rendit të zbardhin sa më parë rastin e kësaj vrasjese të dyfishtë.
“Sonte u tronditëm nga ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin e Pejës. Sipas konfirmimit zyrtar të Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes kanë mbetur të vrarë dy qytetarë të vendit tonë, kandidati për kryetar të komunës së Pejës, A. A., dhe, ish kandidati për kryetar të Deçanit, B. K., të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike.
Ftoj organet e rendit që me seriozitetin më të lartë, sa më parë të zbardhin rastin e kësaj vrasje të dyfishtë,” shkruan Kurti.
