A duhen vaksinuar gratë shtatzëna? A shkakton vaksina fertilitet? Përgjigjet e Silva Binos për dy pyetjet virale

Shefja e shërbimit infektiv, Silva Bino në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora diskutoi procesin e vaksinimit në vendin tonë dhe përhapjen e varianteve të reja.

Për gazetaren Besmira Pelushaj, zonja Bino u shpreh se Shqipëria ka vaksinuar 30% të popullatës me dy doza, ndërkohë që synimi është imunizimi i rreth 70% të popullsisë deri në fund të vitit.

Rreth 30% e popullsisë është vaksinuar me 2 doza

Bino: "E kemi kaluar 30% të popullatës që ka marrë dy doza. Përsa i përket Covid nuk ka një përqindje të caktuar, pro sipas OBSH është 25%, objektiv ky që e kemi tejkaluar. Ne synojmë të vaksinojmë 70% të popullatës deri në fund të këtij viti. Deri tani vendi ka siguruar 3 milionë vaksina dhe është në proces për sigurimin e vaksinave të tjera. Këtë javë kemi një rritje të numrit të vaksinimeve me dozë të parë dhe dozë të dytë."

Vaksinimi te gratë shtatzëna

Te gratë shtatzëna është parë një hezitim për të marrë dozën e vaksinës antiCovid. Në studion e RTV Ora, zonja Bino pohoi se nuk ka asnjë rrezik vaksinimi i grave shtatzëna  në të gjitha periudhat e shtatzënisë.

Bino: "Fetusi te gratë shtatzëna nuk rrezikohet. Nga të dhënat paraprake të studimeve nuk ka të dhëna të dëmtimit të fetusit. U kryen studime në SHBA dhe BE dhe kjo është arsyeja që rekomandohet vaksinimi i grave shtatzëna në të gjitha periudhat e shtatzënisë. Vaksina nuk shkakton dëmtime. Ato duhet të vaksinohen pasi janë objekt risku në lidhje me Covid, këtë vit kemi rritje të grave shtatzëna të prekura me Covid."

A duhet të vaksinohen personat që e kanë kaluar Covid?

Mendimi "Unë e kam kaluar Covid dhe nuk vaksinohem" për zonjë Bino është i gabuar. Ajo u shpreh se vaksina nuk shkakton asnjë dëmtim, madje përmirëson dhe rrit imunitetin.

Bino: "Të dhënat tregojnë që edhe ata persona të cilët e kanë kaluar Covid dhe bëjnë vaksinën kanë një mbrojtje më të mirë imunitare. Vaksinimi është i rëndësishëm dhe tek personat që e kanë kaluar Covid-19. Këto janë studime të thelluara. Vaksinimi nuk shkakton asnjë dëm, përmirëson dhe rrit imunitetitn."

A shkakton vaksina fertilitet?

Teorinë se vaksina shkakton fertilitet tek të rinjtë, zonja Bino e ka mohuar. Ajo u shpreh se vaksina nuk ka lidhje me fertilitetin, as te burrat, as tek gratë.

Bino: "Vaksina nuk ka asnjë lidhje me fertilitetin. Kushdo që planifikon shtatzëninë nuk ka arsye që mos bëjë vaksinën. Të gjitha vaksinat janë të sigurta."

Studimet e vaksinës fillimisht ishin kryer tek kafshët,  por tani ka studime të cilat tregojnë se vaksina është e sigurt edhe për gratë shtatzëna, qoftë ato që planifikojnë një shtatzëni të re apo ato që janë bërë nëna. 

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku

/OraNews/