Nesho komenton "mesazhin sekret": Presioni për të shantazhuar PD-në të pranojë mashtrimin elektoral të 25 prillit
Në një intervistë për RTV Ora, diplomati Agim Nesho, ka komentuar atë që në media përflitej sot si mesazhi sekret i Ambasadores së SHBA Yuri Kim për Partinë Demokratike "Pakti u prish dhe se është radha e tyre të flasin."
Nga ana e ambasadës amerikane nuk ka pasur një reagim por dhe as përgënjeshtrim lidhur me këtë mesazh.
Diplomati Nesho thotë se në thelb mesazhet mund të jenë bërë për të zgjidhur një çështje, pasi shtetet e fuqishme kanë të drejtë të ndërhyrjnë në vendin tonë pasi është një vend më shumë kriza dhe politikanët janë të kapur.
"Pasionet diplomatike për zhvillimet e vendit duhet të jenë sa më të limituara për arsye se janë procese normale që i takojnë vendit. Në këtë mënyrë bëhen edhe më të besueshëm në mesazhet e tyre të bashkëpunimit por edhe në rrugëtimin e përbashkët që kemi si vende perëndimore.
Në thelb edhe mesazhet edhe direktiva që mund të jenë bërë nga dëshira edhe e mirë për të zgjidhur një çështje. Çështja Berisha është përplasur për një kohë të gjatë para opinionit publik. Ka arritur një konsensus që jo vetëm nuk është përafruar dhe mirëpritur, po është keqinterpretuar si mundësia dhe çmimi i demokracisë për veprime klienteliste të regjimit të Edi Ramës, por vetë opinion publik, i korruptuar, i lidhur me krimin, partia- shtet me gjithë fenomenet negative, nuk mund të jetë një përkrahës i vendit më demokratik të SHBA.
Shtetet e fuqishme e kanë këtë të drejtë, sidomos në Republikën e Shqipërisë, që është një Republikë që ka kaq shumë kriza dhe politikanët janë aq të kapur, sa mund të kalojnë lehtë presione të tilla. Në asnjë vend tjetër të botës nuk mund të ketë një protagonizëm të tillë."
Nesho thotë se më e rëndësishme për shqiptarët është që SHBA të jetë aleate me Shqipërinë.
"SHBA duhet të vazhdojnë të jenë aleati ynë strategjik. Një personazh, që vjen nga burokracia e shtetit më të fuqishëm të botës, që kërkojnë të luajnë një rol aktiv në një politikë të brendshme, e kompromenton këtë marëdhënie.
Për hir të kësaj marrëdhënieje është respektimi i normave demokratike që janë sot në çdo shtet të botës, por dhe të opinionit publik, nga të dy anët të cilët e shikojnë si një rast më tepër presioni për të shantazhuar PD-në, për të pranuar zgjidhjen e imponuar të mashtrimit elektoral të 25 prillit, që është thelbësore për demokracinë shqiptare. Dhe demokracia shqiptare nuk do të ecë përpara nëse nuk ballafaqohet me të vërteta të tilla".
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Anila Kolgjini.