Rritja e çmimeve/ PD: E pritshme, qeveria nuk ndërhyri, kufizoi masat, por nuk reduktoi detyrimet
Deputeti i Partisë Demokratike Arbi Agalliu, njëkohësisht dhe ekspert ekonomie, në një intervistë për Ora News, ka komentuar rritjen e çmimeve të produkteve në vendin tonë.
Ai tha se rritja e çmimeve ishte e pritshme, pasi dhe kërkesa e konsumatorëve pas një viti pandemi ku ishim të izoluar, u rrit. Agalliu shprehet se Shqipëria përballet me një pamundësi për të përballuar këtë rritje të çmimeve pasi pandemia ka goditur rëndë shumë kompani e si pasojë është goditur dhe konsumatori.
“Kemi këtë rritje kudo të çmimeve në ekonominë botërore dhe kjo vjen me hapjen e ekonomisë. Sot jemi në një fazë që kaluam një vit shumë të vështirë, në rang global. Shtete te ndryshme vinin nga izolimi, karantina gjë që bëri që edhe kërkesa për produktet të reduktohet.
Tregu është në ballafaqim me kërkesën me ofertën, çka bëri që niveli i çmimeve të qëndroj konstant ose të ulet , për produkte të caktuara. Tashmë jemi në fund të sezonit të verës, sezon që në mbarë botën, pati hapje të lëvizjes, gjë që bëri të rritet konsumi, dhe kërkesa. Në momentin që rritet kërkesa, njësitë prodhuese, firmat prodhuese, patën momentin e duhur dhe zbatuan teorinë e tregut. Kur kemi rritje të kërkesës kemi dhe rritje të çmimit.
Nga ana tjetër kjo ishte e pritshme. Situata në Shqipëri patjetër që do të reflektojë rritje të çmimeve sepse jemi një efekt zinxhir i ekonomisë globale. Shqipëria për mendimin tim, përballet me një pamundësi për tu përballuar me këtë rritje të çmimeve. Nga ana tjetër kemi dhe kompani që janë në pamundësi për të mbijetuar sepse e gjithë kjo situatë pandemie i ka goditur qoftë prodhuesin qoftë dhe konsumatorët. Nëse ka goditur prodhuesin, patjetër dhe konsumatori do të goditet. “
Më tej thotë se edhe pse vendi ynë është goditur rëndë përsa i përket ekonomisë, qeveria nuk ka ndërhyrë për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme.
Ai thotë se qeveria ka vendosur orar të kufizuar për shkak të pandemisë, por nuk ka bërë asnjë reduktim të detyrimeve që duhet të paguajnë bizneset në buxhetin e shtetit.
“Ne jemi në një realitet kur kemi rritje të çmimit për këto efekte që përmendëm. Vihet re fenomeni i mospërkrahjes, mosndërhyrja e qeverisë e shtetit për të bërë amortozimin mes konsumatorit dhe prodhuesit. Kemi biznese që në pandemi nuk kanë marrë asnjë ndihmë financiare. Sektori i zhvillimit në Shqipëri është shumë më i zhvilluar në krahasim me atë të Industrisë. Ekonomia jonë është e brishtë dhe përgjithësisht është e fokusuar të shërbimi. Ne kemi një orar të kufizuar, por ajo që ndodh është se ne nuk kemi asnjë reduktim të detyrimeve që paguajnë bizneset në buxhetin e shtetit. Sot qeveria nuk ka marrë një masë që detyrimet e bizneseve të jenë në përpjestim të drejtë me orarin që i lë të punojnë. Nga ana tjetër kemi konsumatorë me fuqi blerëse shumë të ulët dhe pa mundësi financiare. Qeveria të ulë detyrimet, sidomos te bizneset e vogla dhe të mesme. “
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.

