Emigrantët tentuan të arratiseshin, arrestohet drejtuesi i furgonit në Pogradec

Një ngjarje e pazakontë u shënua në mes të Pogradecit ditën e sotme (7 shtator.)

Një furgon plot me klandestinë u ndalua nga policia në një prej rrugëve të qytetit.

Një efektiv tentoi t'i mbajë emigrantët brenda mjetit, por ata e hapën me forcë derën e furgonit dhe vërshuan nëpër qytet.

Polica ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të furgonit, shtetasin Enrik Shyti 35 vjeç.

Si ndodhi ngjarja

Policia informoi se në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë kanë konstatuar 35-vjeçarin duke transportuar me mjetin tip furgon të markës "Benz", emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Gjatë shoqërimit për në Komisariatin e Policisë, emigrantët e paligjshëm duke dashur të dilnin nga furgoni kanë hapur derën e tij me forcë dhe kanë mundur të largohen duke u shpërndarë nëpër qytet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, menjëherë u angazhuan për gjetjen e tyre, ku 21 emigrantë të paligjshëm aktualisht ndodhen në ambientet e Komisariatit për procedurat e mëtejshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" kryer në bashkëpunim.