Non Grata/ Berisha: Nëse PD do të kishte prova e fakte do bënte gabim nëse nuk do më përjashtonte

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha vazhdon t’i qëndrojnë qasjes së tij se PD ka mbajtur një qëndrim rigoroz ndaj tij lidhur me shpalljen non grata.

Në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews, Berisha tha se PD ka kërkuar fakte dhe prova për Berisha, por në mungesë të tyre nuk mund t ëmbante një qëndrim tjetër nga ai që ka mbajtur deri më sot.

“PD ka mbajtur qëndrim që duhet të mbante. Ka kërkuar prova dhe fakte. Ka kërkuar transparencë. Që PD të konsolidojë dhe të marrë një qëndrim ndaj meje, duhet të ketë prova dhe dokumente. Jashtë tyre PD nuk mund të mbajë qëndrim tjetër. Nëse do të kishte prova dhe fakte për ato që unë jam akuzuar, PD do të bënte një gabim historik nëse nuk do të më përjashtonte. Por kur kërkon prova dhe fakte, mendoj se po bën detyrën e saj." - tha Berisha. 

Më 19 maj Sekretari i DASH Blinken e shpalli Berishën “non grata” në SHBA për korrupsion të niveleve të larta dhe cenim të demokracisë.

Berisha e ka konsideruar vendimin të pa-bazuar në prova dhe të motivuar politikisht. Për këtë, më 5 gusht ai tha se e ka paditur për shpifje Blinkenin në Gjykatën Korreksionale të Parisit.