Librat e klasës së 10 më të kushtueshmit, prindërit: Pagat tona të ulëta, s’ia dalim dot t’i blejmë

Kur na ndajnë vetëm 3 javë nga 27 Shtatori i nisjes së vitit të ri shkollor 2021-2022 të gjitha libraritë dhe pikat e tregtimit të librave janë pajisur me librat shkollave të mesme. Prindërit ankohen për çmime të kripura të tyre bazuar me ekonominë dhe pagat e shqiptarëve.

Në pikat e shitjes së librave shkollorë ka nisur furnizimi me tekste të tilla për gjimnazistët. Më të kushtueshmet janë paketa e librave për vitin e parë të cilat kushtojnë rreth 9200 lekë

Ka dhe nga ata të cilët shprehen se çmimet justifikohen me programet e studimit dhe cilësinë e teksteve.

"Shumë janë, nuk përballohen. Rrogat janë shumë të ulëta për çiftet e reja. Kanë nga dy fëmiëj dhe rrogat janë shumë të ulëta."

"Për xhepat e shqiptarëve është shtrenjtë."

"Është një favor i madh që të jenë shtrenjtë librat se s'kemi ku t'i çojmë lekët ne, ku t'i harxhojmë?"

"Kujt i bëhet vonë i përballon apo s'i përballon."

Jashtë kamerave gjimnazistët tregojnë se për shkak të kostos së lartë të librave shpesh janë detyruar që t'i marrin të përdorura tek të njohurit dhe më të rriturit apo t’i blejnë me gjysmë çmimi nga persona të tjerë.

"Personat që e kanë konkretizuar këtë çmim kanë menduar sepse janë vendosur materiale domethënëse, janë ripunuar kurrikulat dhe kështu ka mundësi që gjërat të marrin vlerën e duhur."

Nga interesimi i Ora News në librari të ndryshme bëhet me dije se tekstet më të kushtueshëm janë ato të vitit të pare të gjimnazit, pasi përmbajnë programe që studiohen dhe në vitet pasardhëse.

Librat e vitit të dytë kushtojnë më shumë se 4200 lekë ndërsa për maturantët më shumë se 6000 lekë ndërkohë librat nga klasa e pare deri në të 9 do të jepen falas.