"Erion Veliaj i mori votat", qytetarët te "Komuna e Parisit" pa ujë të pijshëm prej një jave, asnjë zgjidhje nga ujësjellësi

U bënë 7 ditë tashmë që familja e Astrit Hoxhës, ashtu sikundër dhe familjet që jetojnë në këtë pallat dhe 7 pallate në zonën  e "Komunës së Parisit" vuajnë mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm.

Në mëngjes, në drekë dhe në darkë ata të gjithë i gjen pranë rubinetëve të tyre për të parë nëse ka ardhur apo jo uji, por situata vijon të jetë e njëjtë.

Edhe pse e moshuar Vjollca është e detyruar që me enë në duar të mbushë ujë tek të njohurit pasi banesa e saj është pa furnizim prej  një jave.

"Mezi i mbaj se jam moshë e madhe tani dhe lodhem shpesh. Jam 65 vjeç, është shumë e vështirë që mosha ime të marrë kovat me ujë dhe t'i ngjitë deri në kat të shtatë," thotë ajo.

Qytetarët thonë se mungesa e ujit në një nga zonat më të banuara në Tiranë i ka krijuar vështirësi.

"Shtëpia ka nevojë për ujë, për t'u larë," thotë Vjollca.

Me librezën e ujit në dorë Astrit Hoxha thotë se është mbi-faturuar nga ujësjellësi edhe kur nuk ka pasur furnizim.

"Te sahati ujë nuk ka fare, vjen faturistja shikon sahatin, ikën. As kupon nuk japin sa vjen uji, sa nuk vjen. Pa pasur ujë ne paguajmë lekët," thotë zoti Hoxha.

Të tjerë qytetarë shprehin shqetësim për situatën  duke i kërkuar  kryebashkiakut Veliaj të mbajë premtimet elektorale.

"Erion Veliaj ka marrë votat, jo ujë po dhe aty brenda pallatit ne nuk kemi stol për t'u ulur," thotë qytetari.

Banorët e zonës thonë se kanë njoftuar ujësjellësin për faktin se nuk furnizohen me ujë prej një jave. Zyrtarët kanë pranuar se kjo situatë po ndodh për shkak të një problemi me rrjetin e furnizimit, por nuk kanë dhënë një afat për zgjidhje./OraNews/