Danaj: Qeveria e re pa plan strategjik për ekonominë, situata do të jetë e njëjtë si në dy mandatet e tjera

Eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj ishte i ftuar në studion e Ora News nga ku foli për ekonominë dhe situatën në vendin tonë. Sipas ekspertit shteti duhet të ndërhyjë në rritjen e çmimeve dhe të vendosë një çmim tavan në periudhën e vështirë që po kalon vendi nga pandemia. Sipas Danaj  u panë premtime elektorale për rritje rrogash, por do të mbeten të tilla sepse ishin më shumë politike sesa reale.

Danaj: "Në vendin tonë kemi një abuzim me rritjen e çmimeve. Shteti duhet të ndërhyjë në kontrollin e tyre dhe të vendosë një çmim tavan sidomos në këtë moment të vështirë ekonomik. Nga ana tjetër duhet të shikojë rritjen e rrogave. Ne pamë disa premtime elektorale  për rritje rrogash të cilat ishin të bazuara mbi asgjë dhe nuk mund të ndodhin sepse ishin më shumë politike sesa reale. Ajo që kërkohet nga shteti  kur ne themi rritje rrogash nuk themi thjeshtë të vendosin një shifër mbi tavolinë. Kjo duhet të shoqërohet me politika motivuese, sepse është e thjeshtë t'i themi biznesit nga sot do ta çosh rrogën 35.000 mijë lekë, pro ky biznes që duhet të paguajë këto taksa ku do t'i gjejë? Do rrisë çmimet. Ti nga ana tjetër nuk ja lehtëson barrën fiskale në një moment pandemik. Politikat për të koordinuar rritjen e çmimeve me rritjen e të ardhurave duhet të jenë rrënjësore. Nuk është e nevojshme që ne të vazhdojmë në tavolinë të bëjmë politika momentale, duhet një ndryshim rrënjësor. Unë do prisja që me qeverinë e re do kishte një strategji shumë të qartë të zhvillimit ekonomi  të vendit. Nuk kam parë dhe nuk kam shpresë që të ndodhë. Kështu që duhet një ndryshim."

Ndër të tjera, Danaj tha se qeveria e re që do të krijohet duke parë programin që shpalosi gjatë fushatës elektorale nuk do të sjellë asgjë të re në krahasim e dy qeverisjet e tjera të zotit Rama pasi nuk ka një plan strategjik të qartë për ekonominë.                         

Danaj: "Nuk pres nga qeveria e re sepse duke parë atë program ekonomik që u shpalos gjatë fushatës, që nuk ishte program por ishte thjesht një demagogji politike në këndvështrimin tim, duke parë ecurinë e këtyre katër viteve dhe duke parë si u formua qeveria e re vazhdoj të mendoj që do jetë vazhdim i asaj të vjetrës, pra do jetë një vazhdim i dy qeverive. Nuk ka një program ose një strategji të qartë dhe të mirëfilltë."

Intervistoi Matlida Mcini, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku