Viti i ri shkollor, Tushi: Arsimi të përgatitet për situatat e vështira të Covidit

Çfarë ndodh pas rifillimit të shkollës? Nxënësit do të rikthehen në klasa, ndërkohë që një pjesë e tyre e kanë nisur mësimin që në datën 1 shator edhe pse fakultativ. Rifillimi i shkollës kërkon angazhim pas një periudhe pushimi, shoqëruar edhe me kushtet e pandemisë që po jetojmë.

Sociologu Gëzim Tushi në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Ora tha se situata duhet vlerësuar me seriozitet pasi virusi nuk është zhdukur dhe nuk mund të jemi të shkujdesur.

Sipas zotit Tushi periudha në të cilën po rifillon viti i ri akademik nuk do të jetë e lehtë për shkak të virusit, prandaj komponentët kryesorë të arsimit duhet të përgatiten për situata të vështira.

Tushi: "Jemi në një periudhë delikate dhe duhet vlerësuar me shumë seriozitet, sidomos periudha post-pandemike megjithëse ende nuk mund të quhet e tillë sepse fenomeni i prekjes nga pandemia edhe në kohën e tanishme tregon që duhet vlerësuar me seriozitet. Institucionet janë të detyruara që të vlerësojnë vështirësitë që sjell pandemia në këtë periudhë. Ajo që po ndodh është një lloj prekje e institucioneve themelore të edukimit dhe kjo ka sjellë një lloj krize dhe çoroditje për faktin se si do ecim; mësimi do jetë nëpër klasa apo për shkak të virusit jemi të detyruar të vazhdojmë me mënyra hibride? Nuk jam i sigurt që periudha që po fillon shkolla dhe arsimi do të jetë i qetë. Komponentët kryesorë të arsimit duhet të përgatiten për situata natyrisht të vështira që duhen llogaritur dhe kjo nuk është në dorën e tyre por nga shfaqja e virusit. Kjo do të thotë që tri figurat kryesore, nxënësit, shkolla, mësuesit dhe prindërit duhet të sensibilizohen lidhur me mënyrën se si do të zhvillohet mësimi. "

Sociologu tha se me nisjen e shkollës duhen shtuar dhe masat nga ana e institucioneve për të garantuar shëndetin e fëmijëve. Mësuesit përveç rolit edukativ, sipas zotit Tushi duhet të kenë një rol të dyfishtë për të siguruar distancimin social dhe masat e tjera anticovid për mos rrezikuar shëndetin e nxënësve.

Tushi: "E gjithë bota është e çoroditur përballë goditjeve të virusit Covid-19.  Kam përshtypjen që ne po hyjmë në këtë vit të ri shkollor me idenë që mbase virusi është duke u larguar por sinjalet e fundit po flasin për një rikthim të bujshëm të këtij virusi. Kujdesi duhet shtuar në këto institucione, mendoj që përveç komponentëve që kanë të bëjnë me formimin pedagogjik ne duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për të garantuar shëndetin për fëmijët tanë nëpër shkolla. Për këtë duhet të përgatitemi për çdo gjë. Mësuesit kanë për detyrë që të jenë në funksione polivalente, të dyfishta. Jo vetëm të edukatorit për mësimdhënien por mbi të gjitha për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve duke siguruar higjienën, distancën sociale për t'i mbrojtur ata. "/OraNews/

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku