Rama qeverisje me gratë/ Malaj: Në këtë qeveri zonjat do të jenë një armë shumë e fortë

E ftuar në edicionin e lajmeve të RTV Ora, politikania dhe pedagogia, Nora Malaj, ka komentuar kabinetin e ri të qeverisjes "Rama 3", i cili ka një numër të lartë grash.

Malaj shprehet se zonjat që janë aktualisht në politikë dhe në poste të rëndësishme kanë drejtuar fushata, e madje disa prej tyre kanë thyer dhe herësin.

Ndaj ajo është e bindur se kryeministri Edi Rama, gratë në qeveri do t’i ketë si një armë të fortë, që do të japin një ‘frymë’ të re gjatë viteve të ardhshme.

"Nëse do të ulesha siç kam qenë dikur në vitin 2002 në karrigen e kryetares së shanseve të barabarta, e cila për herë të parë hartoi ligjin për barazi gjinore, mund të them që sot jam e kënaqur në pjesëmarrjen e grave jo vetëm në numër por edhe në atë pjesë që zë në kabinetin e qeverisë "Rama 3". 

Mund të them që në të gjithë listën e zonjave që janë vendosur në pjesën e qeverisjes, pa frikë mund të them që kanë qenë zonja që kanë thyer herësin por kanë qenë ato që kanë drejtuar fushatat në ditët  më të vështira. Mendoj se Rama ka menduar që duhet t’i japim të që meritojnë  ato grave të cilat kanë qenë luftëtare të forta dhe çuan PS në këtë nivel aktual, ndonëse problematika e zgjedhjeve është një qasje që do kërkoj vëmendje, pasi 25 Prilli nuk është zbardhur akoma se çfarë ka ndodhur.

Jam e gëzuar për një gjë, pasi në kohën kur kam qenë pjesë e deputetëve të mandatit që shkoi kam folur shumë për problemin e gjuhës seksiste në parlament, tani me zgjedhjen e Nikollës që realisht e përshëndes, jam e pabindur se qasja seksiste e gjuhës kundër deputetëve do të jetë një qasje tjetër, një format tjetër dhe dëshiroj shumë, ta shoh me objektivitet situatën, dhe mendoj se nëse listohemi në qeveri të cilat në drejtim të prezencës zonja kanë arritur në një nivel shumë të vlerësuar mendoj që askush nuk duhet të flasë.

Duhet të mendojmë një gjë, se nëse këto zonja kanë shkuar në qarqet e tyre dhe kanë marrë votat e tyre, besoj që PS duhet të bëjë një analizë tjetër të votova, atë që duhet ta kishin bërë, dhe parti të tjera të opozitës, për të kuptuar se sa janë votuar nga gra dhe si përfaqësohen ata në kabinet.

Rama do i ketë gratë si një armë e fortë, duke mos anashkaluar dhe burrat të cilët kanë potencialin e tyre dhe po t’i shohësh vlerën e valencës nuk mund të themi se ka më shumë gra në numër, por ka gra dhe vajza të reja që do të tentojnë të japin një frymë."

Intervistoi Kostana Morava, përgatiti për online Anila Kolgjini.