Vajzat afgane në Shëngjin: Gjithçka u shkatërrua brenda natës, talibanët duan t'i mbajnë njerëzit në errësirë

Dy vajza afgane, studente të universitetit amerikan në Afganistan e lanë vendin e tyre nën kërcënimin e jetës nga regjimi i ri taliban. Të strehuara në Shëngjin ato rrëfejnë çdo të thotë të jetosh një jetë të re.

Njëra prej vajzave shprehet se ishte vendimi më i vështirë që i është dashur të marrë, pasi ëndrra e saj ishte të studionte në vendin e saj. Por gjithçka, thotë ajo u shkatërrua brenda natës.

"Ishte vendimi më i vështirë që më është dashur të marr në jetë sepse nuk më shkonte në mendje që do të largohesha një ditë nga vendi im, pro situata e brishtë që ndodhi në Afganistan më bëri  të përballesha vetëm me një zgjedhje, të largohesha nga vendi im për të qenë e sigurt, për të vazhduar jetën time. Ishte një moment stresues për mua sepse isha një vajzë me shpresa dhe ëndrra për t'u arsimuar, për t'u diplomuar në universitet. Do të nisja semestrin e pestë në Universitetin Amerikan të Afganistanit. Kur ndodhi kjo situatë gjithçka u shkatërrua. Isha shumë e stresuar pse u shkatërrua vendi im brenda natës sepse gjithçka ndodhi kaq shpejt," tha njëra nga vajzat.

Vajza tjetër, gjatë rrëfimit thotë se talibanët ndryshe flasin në publik dhe ndryshe bëjnë në terren. Sipas saj, plani i  talibanëve është t'i mbajnë njerëzit në errësirë.

"Kurrë nuk e merrja me mend që vendi ynë apo gjërat që kishim bërë gjatë 20 viteve të jetës sonë, bëmë më të mirën për t'u arsimuar, për t'i shërbyer vendit dhe të gjithë brezave, pro gjithçka u shkatërrua brenda natës. Jam shumë falenderuese dhe shumë mirënjohëse ndaj qeverisë shqiptare, qeverisë së Katarit sepse na kanë trajtuar me dinjitet, respekt, na kanë mirëpritur me të gjithë respektin dhe dashurinë që mundën.

Ata ndryshe flasin në publik, dhe bëjnë gjëra të ndryshme në terren. Ato nuk i lejojnë vajzat të shkojnë në shkollë, deri në klasë të 6 i lejojnë. Plani i tyre është t'i mbajnë njerëzit në errësirë, kohë të vështira prodhojnë njerëz të shkëlqyer", tha njëra prej tyre./OraNews/