Hashash, heroinë e armë, 9 persona të arrestuar në gjithë vendin

Romeo Myftarago u  arrestua  në Maliq të shtunën (4 shtator) pasi sipas policisë ai ka tentuar që të kultivojë lëndë narkotike. Gjithashtu në kërkim është shpallur edhe vëllai i tij.

Sipas bluve të juglindjes gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Myftaragos dhe ambientet përreth saj në pronësi të dy vëllezërve, u gjetën 1 armë zjarri tip kallashnikov, 1 sasi me municione luftarake, 2 krehër dhe 2 bajoneta arme zjarri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu u konstatuan edhe disa fidanë të dyshuar kanabis, të cilat dyshohet të jenë kultivuar nga dy vëllezërit në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Gjithashtu edhe policia e Durrësit ka goditur dy raste të tentativës së mbjelljes së Hashashit në Krujë dhe Fushë Krujë, ndërsa në flagrancë janë arrestuar 2 persona.

Në pranga ranë  Xh. K., banues në Arrameras, Fushë Krujë, dhe I. L., banues në Borizanë të Krujës.

Ndërkohë në pikën kufitare të Kakavijës është arrestuar Spiro Qose pasi në pikën dalëse të Shqipërisë i është gjetur një pako e mbushur me lëndë narkotike heroinë me peshë 278 gramë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe makina dhe një telefon celular në posedim të Qoses.

Edhe në Vlorë është goditur një rast i shpërndarjes së drogërave të forta.

Admirim Çumani, 26 vjeç dhe Besmir Sadikaj, 31 vjeç ranë në prangat e policisë pasi gjatë kontrollit në një lavazh, në përdorim nga këta dy shtetas, u gjet dhe u sekuestrua një sasi me lëndë narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në dhjetëra doza, gati për shitje, 2 peshore elektronike dhe 2 aparat celular.

Ndërkohë policia e Tiranës vuri në Pranga një 62 vjeçar dhe një 43 vjeçar pasi  në bashkëpunim me njëri-tjetrin në Shëngjergj,  kanë kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Një 19 vjeçar me inicialet E.D u arrestua gjithashtu në Tiranë pasi iu gjet hashash gjatë kontrollit fizik.