Tunel-Elbasan, Audi me 224 km/h gjobitet me 15 mijë lekë, emigranti me 174 km/h me 40 mijë lekë
Policia Rrugore e Elbasanit, gjatë 24 orëve të fundit ka vijuar kontrollet me në rrugën interurbane Elbasan Tuneli i Krrabës - Elbasan, për të parandaluar shpejtësinë tej normave të lejuara, e cila është rrezik potencial për aksidente rrugore.
Gjatë kontrollit, në të dyja kahet e lëvizjes janë konstatuar shpejtësi tej normave të lejuara, që varonin nga 174 km/h deri në 224 km/h në kulmin e trafikut.
Si rezultat janë tërhequr 10 leje drejtimi për shpejtësi tej normës së lejuar.
Drejtuesi i mjetit tip Audi, shtetasi A.S., nga Tirana është konstatuar me shpejtësi 224 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 15.000 lekë të rinj, 6 muaj pezullim të lejes së drejtimit dhe zbritje të pikëve nga leja e drejtimit.
Shtetasi E.H, rezident në Itali u konstatua me 174 km/h, i cili u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj.
Gjithashtu janë vendosur 29 masa administrative për shpejtësi dhe manovra në rrugë, si dhe janë vendosur 3 masa administrative maksimale me vlerë 40.000 lekë të rinj pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj.
Kontrollet kanë vijuar edhe me dron në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd, dhe Elbasan-Cërrik ku janë evidentuar e ndëshkuar për parakalim të gabuar 21 drejtues mjetesh me masë administrative 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj.
Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 5 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë vendosur 12 masa administrative me vlerë deri 15.000 lekë të rinj për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, por pa sanksionin plotesues të pezullimit të lejes së drejtimit.

