Fiskalizim edhe në transport, sistemi për këtë sektor ende nuk është bërë gati

Që prej 1 shtatorit, në vendin tonë ka nisur procesi i fiskalizimit. Në këtë proces përfshihet dhe transporti urban dhe interurban.

Por gjatë një vëzhgimi në terren drejtuesit e mjeteve nuk janë të pajisur me aparaturën e lëshimit të faturës tatimore.

Sipas kreut të Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, ky sektor ende nuk është gati dhe duhet shtyrje e afatit deri në krijimin e infrastrukturës për këtë sektor.

"Para kësaj faze kemi drejtuar disa kërkesa, duke qenë se paralelisht me kërkesat tona do të nisë dhe procesi i fiskalizimit. Kemi kërkuar ndërtimin e infrastrukturës, e cila për transportin është shumë më specifik se sektorët e tjerë duke qenë se nuk kemi stacione, nuk kemi terminale, nuk kemi agjenci, të cilët janë faktorët që ndërtojnë fiskalizimin për sektorin tonë. Janë edhe ato kërkesat ekonomike që ne i kemi shtjelluar disa herë, udhëzimi mbi çmimin për kilometër të biletave ndërqytetase."

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në total janë do të duhet të fiskalizohen rreth 120 mijë subjekte.

Edhe pse 1 shtatori shënon zbatimin e fazës së tretë dhe të fundit të fiskalizimit, për transaksionet me para në dorë biznes-konsumatorë, ky afat duket ende shumë larg zbatimit të gjerë në treg.