Liqeni i Komanit, “perla” që po bëhet pis

Një udhëtim mes perlave të natyrës por edhe mbeturinave.

Kështu mund të cilësohet ai në ujërat e liqenit të Komanit.

Mbetje plastike, produkte ushqimore dhe inerte të ndryshme kanë mbuluar sipërfaqen ujore.

Një imazh i shëmtuar për zonën që mbetet destinacion turistik, por dhe pasoja të rënda për florën dhe faunën e këtij liqeni.

Shkaktare për këtë ndotje është dora e njeriut.

Por nuk mbeten pas edhe vetë institucionet që me neglizhencën e tyre, e kanë lënë këtë zonë në mëshirë të fatit.

Bashkitë Shkodër, Vau Dejës, Pukë dhe Tropojë janë përgjegjëse të drejtpërdrejta për ndotjet që ka ky liqen, ndër më të frekuentuarit nga turistët vendas dhe të huaj në sezonin veror që i drejtohen lumit të Shalës apo Valbonës.

Aksionet e pastrimit të ndërmarra nga shoqatat mjedisore kanë rezultuar të pasuksesshme për të dhënë mesazhin që mjedisi na përket të gjithëve dhe për ruajtjen e tij kemi të gjithë përgjegjësinë.

Ndëshkimet gjithashtu kanë munguar nga ato që paguhen për të monitoruar situatën dhe kur ndodhemi në prag të një katastrofe mjedisore, të gjithë kanë zgjedhur heshtjen, edhe pse kostoja e kësaj heshtje është e lartë./OraNews/