Aleanca për Teatrin dorëzon padinë e 16-të në SPAK: Drejtësia s`po heton aferën e Teatrit

Me moton “Teatri, ku dhe siç ishte” anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë dorëzuar në SPAK kallëzimin e 16 për këtë çështje. Ata kanë kallëzuar dy prokurorë të cilët I akuzojnë se  kanë pushuar dy nga kallëzimet e bëra për ambasadorin e BE në Tiranë Luigi Soreca.

"Së pari kemi një kallëzim ndaj prokurorit, Sotir Kllapi, i cili në mënyrë në shkelje të detyrës ka vendosur mos-fillimin e hetimeve për prokuroren Manjola Kajana. Prokurorja është kallëzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit aktiv dhe pasiv të prokurorëve dhe gjyqtarëve, lidhur me vendimin e mosfillimit të hetimeve ndaj ambasadorit Soreca", thotë Kalaja.

Avokatja e Alenacës Ardiana Kalaja, akuzoi prokurorin e çështjes për zvarritje te hetimeve për shembjen e teatrit

"Në momentin që flasim nuk kemi asnjë informacion se në çfarë faze ndodhen hetimet. Në 15 korrik ka mbaruar afati i hetimeve për dosjen e teatrit. Jemi në datën 3 shtator dhe ne nuk kemi asnjë informacion."

Denoncimet për ish Teatrin Kombëtar kanë nisur prej dy vitesh nga përfaqësuesit e Aleancës të cilët pothuajse çdo javë i janë drejtuar prokurorisë së posaçme dhe prokurorisë së Tiranës me padi ndaj zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar që nga kryeministri kryetari i  Bashkisë së Tiranës dhe funksionarë të tjerë që kanë firmosur për shembjen e objektit në qendër të Tiranës.